Integrimi

Kuvendi i Shqiptarëve, kundër “masave edukative” të SFV rreth shenjës së shqiponjës

"Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është kategorikisht kundër, që një përshëndetje e tillë e thjeshtë dhe e pafajshme, që në vete ngërthen elemente shqiptare, tani të „problematizohet politikisht“, të demonizohet dhe të dëbohet nga jeta publike"

Duke marrë shkas nga një intervistë që përfaqësuesi për medie i Federatës Zvicerane të Futbollit Marco von Ah, ku ai problematizon shenjën e shqiponjës të bërë nga disa futbollistë shqiptarë, Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës ka vendosur të reagojë përmes një komunikate.

“Zëdhënësi për media i Federatës Zviceane të Futbollit (SFV) Marco von Ah, në një intervistë për Sonntagszeitung paralajmëroi se Federata planifikon që në fazën e ardhshme përgatitore të ekipit kombëtar të Zvicrës, që fillon me 10 nëntor 2014, t`i tematizojë disa sjellje dhe efektin që kanë ato sjellje të lojtarëve të ekipit kombëtar. Arsye për këtë është gjesti i shqiponjës i bërë nga lojtarët me prejardhje shqiptare të kombëtares zvicerane. Sipas SFV ky gjest duhet parë si problematik, pasi që Federata është politikisht e pavarur. Te një pjesë e tifozëve vendas ekziston qëndrimi, se golat nuk duhen festuar me shenjën e shqiponjës, as në kombëtare e as në klube”, thuhet në komunikatën e Kuvedit të Shqiptarëve .

Kjo deklaratë e zëdhënësit të Federatës Zvicërane të Futbollit, vazhdon komunikata,  “shkaktoi tek ne brengë dhe indinjatë, prandaj si përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër, dëshirojmë të reagojmë si vijon:
Federata Zvicerane e Futbollit duhej ta dinte, se gjesti i bërë me duar të palosura në formë të shqiponjës dykrenare, është një trend modern i gjeneratës së re të lindur pas vitit 1990. Kjo shfaqje nuk përmban asgjë politike, nuk është e drejtuar kundër askujt dhe nuk është për askënd ofenduese, prandaj edhe nuk duhet ta pengojë askënd. „Shqiponja valëvitëse“ është më shumë një shprehje e gëzimit dhe është simbol i identitetit shqiptar të „sekondove“ (gjenerata e dytë e migracionit shqiptar) dhe e lojtarëve të klubeve dhe të kombëtares zvicerane që kanë prejardhje shqiptare.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është kategorikisht kundër, që një përshëndetje e tillë e thjeshtë dhe e pafajshme, që në vete ngërthen elemente shqiptare, tani të „problematizohet politikisht“, të demonizohet dhe të dëbohet nga jeta publike. Në fund të fundit SFV me këtë qëndrim kontribuon në krijimin e opinionit publik, se kinse një përshëndetja e tillë qenka diçka e keqe që duhet ndaluar. Kush e paraqet një përshëndetje të tillë si një „problem politik“, vepron vetë politikisht, e shtrembëron realitetin dhe polemizon në vend të gabuar, duke harruar problemet e vërteta të shoqërisë dhe të futbollit.

Disa futbollistë me origjinë shqiptare i palosin duart në formë të shqiponjës, pasi të kenë shënuar gol. Në vend që ky gjest të interpretohet si diçka që lojtarëve u jep krah që të shënojnë gola dhe të jenë të suksesshëm,  federata dhe fatkeqësisht edhe një pjesë e shoqërisë zvicerane e shohin këtë si një „problem politik“.

Shtatë  futbollistët zviceranë me prejardhje shqiptare janë shumë të dashur nga opinioni publik zviceran, ata kanë vendosur që të luajnë për kombëtaren zvicerane, e nderojnë dhe e këndojnë himnin zviceran dhe luftojnë për ngjyrat e Zvicrës. Ata janë bartës dhe popullarizues produktesh, ambasadorë dhe shembuj për të rinjtë. Me angazhimin e tyre të palodhshëm dhe me golat e tyre kanë shkaktuar mahnitje të publikut, që u pa edhe gjatë Kampionatit Botëror në Brazil. Liga zvicerane e Futbollit dhe kombëtarja zvicerane në saje të këtyre lojtarëve kanë tifozë të shumtë në tërë hapësirën shqipfolëse në Ballkan.

Shpresa e klubeve dhe e kombëtares zvicerane janë të rinjtë, prandaj karriera e suksesshme e Xhakës, Kasamit, Shaqirit dhe të tjerëve, ka motivuar me mijëra të rinj shqiptarë që të paraqiten në klube dhe të luajnë futboll. Në vend të vendosjes së rregullave se si u duhet gëzuar golave, do të ishte më mirë sikur SFV t`i motivonte këta të rinj që të merren me çështjen e identitetit të tyre.

Një ndalesë e mundshme e kësaj përshëndetjeje do të thotë edhe mospranim të identitetit të dyfishtë të këtyre lojtarëve. Identiteti i dyfishtë i lojtarëve dhe „sekondove“ shqiptare është realitet që duhet konsideruar dhe respektuar, siç është realitet suksesi të cilin këta të rinj me shumë mund e kanë arritur në sfera të ndryshme të jetës në Zvicër.

SFV duhet t`ia shpjegojë komunitetit shqiptar në Zvicër, se në çka konsiston „problemi politik“ i kësaj përshëndetje.

Shpresojmë se thëniet e zotit Marco von Ah në Sonntagszeitung të jenë vetëm mendime të tij, sepse një ndalesë e kësaj forme të përshëndetjes me të cilën identifikohet komuniteti shqiptar në Zvicër, godet jo vetëm lojtarët, por do të thotë edhe stigmatizim, ëerjashtim dhe diskriminim të komunitetit shqiptar të Zvicrës në terësi.

Rregulla për ndalimin e përshëndetjes në formë të shqiponjës është stigmatizuese dhe selektive, në të kundërten do të duhej ndaluar edhe shumë gjeste tjera në fushë të futbollit të cilat nuk jan „ korrekte politikisht“. Kjo ndalesë është diskriminuese, sepse është e drejtuar kundër lojtarëve shqiptar dhe kundër një pershendetje e cila ka karakter shqiptar, dhe është inkriminuese sepse një gjest banal të shprehjes së gëzimit e shndërron në një akt për të cilin duhet turpëruar pasi që qenka i ndaluar.

Në futbollin zviceran ka probleme më të mëdha dhe më brengosëse, siq jan huliganizmi dhe vandalizmi para dhe pas lojrave, të cilat duhen trajtuar. Pershendtja me shqiponjën dykrenare nuk është kurrfarë problemi, prandaj nuk duhet instrumentalizuar.
Kuvendi i shqiptarëve në Zvicër do t`i përcjell zhvillimet e mëtutjeshme edhe pas 10. Nëntorit 2014 dhe sipas nevoje do të veprojë.
Prandaj kërkojmë nga ju: Lërini lojtarët shqiptarë t`i festojnë golat ashtu siç duan, me rëndësi është që të shënojnë gola, thuhet në fund të reagimit të Kuvendit të Shqiptarëve.