Shqipëria

Kuvendi i Shqipërisë sërish me skena të njëjta

Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë kanë vazhduar me veprimet e njëjta duke bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kjo ka bërë që së paku katër herë të ndërpritet seanca nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Pas fjalës së mbajtur nga kryetari i PD-së, deputetët demokratë i janë afruar foltores për të mos lejuar deputet e pozitës të dalin aty. Basha, pasi kryeministri Edi Rama erdhi në sallën e Kuvendit, deklaroi nga foltorja se kreu i qeverisë “po bllokon integrimin për Tahirin dhe Xhafajn”, përcjell albinfo.ch.

“Gjashtë javë më parë e mori mesazhin që negociatat po rrezikohen nga lufta e pamjaftueshme ndaj krimit. Është e papranueshme për Evropën që të ulet në tavolinën e bisedimeve me një vend që ka një qeveri që e ka futur vendin te 20 më të korruptuarit e botës. Tahiri, për 4 vite e shndërroi Shqipërinë në strehën e krimit të organizuar dhe pikë kyçe për trafikun e kokainës dhe heroinës”, ka thënë Basha.

Në këtë seancë ka pasur debat ndërmjet kreut të kuvendit Ruçi dhe liderit të opozitës Basha për çështjen e integrimit. Në gjithë këtë rrëmujë Kuvendi ka arritur që t’i miratoj projekt/ligjet që ishin në rendin e ditës.