Kosova

Kuvendi i Kosovës përkujton 20-vjetorin e masakrës së Dubravës

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme për të kujtuar masakrën e burgut të Dubravës.

 

Deputeti, Nait Hasani, i cili i kishte mbijetuar asaj, ka deklaruar se kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb, pasi tha se të gjithë të burgosurit nga burgjet tjera ishin grumbulluar aty.

 

““Ne i kemi prezantuar me emra dhe mbiemra se kush janë ata kriminelë. Por me të nuk është marrë as Prokuroria e Pejës prej se e kemi bërë kallëzimin penal qe 12 vjet. Ne tani kërkojmë të dimë se përse u hesht ky kallëzim, përse nuk ka aktakuzë? Dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka thënë Hasani.

 

I mbijetuari tjetër i masakrës së Dubravës, deputeti Liburn Aliu ka thënë se kjo masakër nuk dallon nga tmerret dhe mizoritë e masakrave tjera.

 

Ai ka pohuar se për të  është e pakuptimtë që drejtësia kosovare dhe as ajo ndërkombëtare nuk e zbardhen fatin e kësaj masakre.

 

Një deputet tjetër që i ka shpëtuar kësaj masakre është edhe, Rasim Selmanaj, i AAK-së i cili deklaroi në Kuvend se masakra është kryer me urdhër të qeverisë se Serbisë.

 

Deputeti Hasani në fjalimin e tij ka paraqitur edhe një rezolutë për të dënuar krimet për këtë masakër e cila pritet të votohet në fund të seancës.