Kosova

Kuvendi i Kosovës nesër voton marrëveshjet ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kryesia ka vendosur që nesër të mbahet seanca e jashtëzakonshme, e kërkuar nga opozita, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa pas kësaj seance është vendosur që të vazhdojë ajo e javës së kaluar, e cila për dy ditë është ndërprerë në mungesë të kuorumit, përcjell albinfo.ch.

“Është lajm i mirë se opozita po kthehet në Kuvend, një pjesë e tyre, se një pjesë ka qenë edhe më herët dhe po besojmë që po fillojnë në reflektim pozitiv karshi obligimeve që kemi ndaj qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit ka deklaruar se nuk ka nevojë për seanca të jashtëzakonshme, duke thënë se shpreson që shumë shpejt do të mbahet një seancë e rregullt, në të cilën do të shqyrtohet rezoluta e opozitës dhe kërkesa e qeverisë për ekipin negociator.

“Shpresoj që kemi ekip të përbashkët negociator, që ka mandatin e qeverisë dhe Kuvendit dhe që të ballafaqohet me Serbinë në finalen e madhe, në mënyrë që vendi të fitojë ulësen në OKB”, ka thënë ndër të tjera Veseli.