Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën që fajëson Serbinë për gjenocid

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Për hartimin e kësaj rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të rezolutës.

Rezoluta u miratua me 79 vota për.

Para se të hidhej në votim, drafti i rezolutës është diskutuar dhe në fund është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare.

Në rezolutë, pos tjerash, përmendet të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore, raporton REL, përcjell albinfo.ch.