Tematike

Kushti i ri i aplikimit për pasaportën zvicerane: 10 vjet pa ndihma sociale

Më 9 shkurt qytetarët e Aargaut do të votojnë lidhur me këtë ashpërsim. Ligji i natyralizimit në këtë kanton është aktualisht më i rrepti krahas atyre në kantonet e Bernës dhe Graubünden

Kantoni Aargau së shpejti mund të ketë një nga ligjet më të ashpra për të drejtat civile në Zvicër, raporton gazeta “Aargauer Zeitung”. Një shumicë e Parlamentit Kantonal kërkon që në të ardhmen vetëm ata të huaj që nuk kanë marrë ndihmë sociale në dhjetë vjet para aplikimit, mund të natyralizohen, pra, të marrin pasaportën zvicerane, transmeto albinfo.ch. Diçka e tillë shkon përtej kritereve minimale të përcaktuara nga federata, të cilat kërkojnë një periudhë tre vjeçare si bazë për të aplikuar për natyralizim.

Më 9 shkurt qytetarët e Aargaut do të votojnë lidhur me këtë ashpërsim. Ligji i natyralizimit në këtë kanton është aktualisht më i rrepti krahas atyre në kantonet e Bernës dhe Graubünden.

Fillimisht, qeveria kishte kërkuar të ruhej periudha aktuale tre-vjeçare, por, nën presionin e Parlamentit, ajo kaloi në një zgjidhje kompromisi, duke pranuar një periudhë pesëvjeçare, si kusht për aplikim. Kërkesa për një periudhë prej dhjetë vjetësh, më në fund mori shumicën në parlament me votat e partive të djathta.

Qeveria e Kantonit nuk ka pranuar të bëjë rekomandimin e saj për votim sepse propozimi i saj për kompromis nuk mund të aprovohej nga shumica.

Përkrahësit e ashpërsimit argumentojnë se ata që duan të bëhen zviceranë, duhet të jenë të pavarur ekonomikisht. Përjashtimet për rastet e vështirësive siç është paga e ulët janë ende të lejuara. E njëjta gjë vlen nëse dikush ka marrë ndihmë sociale pa ndonjë faj të vetin, për shembull nëse ka qenë i sëmurë, i paaftë ose prind vetushqyes.

Test para aplikimit për pasaportë

Partia Sociademokrate (SP), Të Gjelbrit (GPS), Të Gjelbrit Liberalë (GLP) dhe Partia Evangjeliste (EVP) e përshkruajnë ligjin si “të padenjë”. Për to, ashpërsimi nga tre në dhjetë vjet është disproporcional dhe diskriminues. Për më tepër, kundërshtarët kritikojnë duke thënë se është e vështirë të zbulohet nëse dhe kur dikush ka marrë ndihmë sociale, transmeton albinfo.ch. Do të ishte veçanërisht e vështirë që kjo të konstatohet sidomos në rastet kur aplikuesi ka jetuar edhe jashtë kantonit të Aargaut gjatë dhjetë viteve të fundit. Kështu, rregullat e reja mund të zbatohen vetëm me kusht të një angazhimi të madh burokratike.

Ligji i natyralizimit i Aargaut do të ashpërsohet edhe në një pikë tjetër. Në të ardhmen, të huajt duhet të kalojnë një provim të “qytetarisë” përpara se të paraqesin kërkesën për natyralizim, përcjell albinfo.ch. Në këtë provim do të testohen njohuritë e tyre për aspektet gjeografike, historike, sociale dhe politike të kantonit. Vetëm ata që u përgjigjen në mënyrë të saktë dy të tretave të këtyre pyetjeve pranohen në procedurën e natyralizimit. Edhe përkundër kësaj, komuna do të ketë ende mundësi të kontrollojë njohuritë e aplikuesit në intervistën e rregullt për natyralizimin.