Opinione

Kush nuk voton, mbivotohet!

Është e rëndësishme që e drejta e votës të shfrytëzohet patjetër, mirëpo është edhe në përgjegjësinë e secilit që të mendojë saktësisht se cilët persona dhe cilën politikë duhet ta votojë.

Alfred Heer, deputet në Parlamentin Nacional

Në Kosovë dhe në Zvicër gjatë tetorit do të ketë zgjedhje. E drejta për zgjedhje të lira dhe korrekte nuk është diçka e vetëkuptueshme. Shumica e shteteve në këtë botë nuk janë shtete të së drejtës, ato nuk e njohin ndarjen e pushteteve, as shprehjen e lirë të mendimit dhe as lirinë e tubimit.

Për të siguruar këtë të drejtë është dashur të luftohej shumë dhe demokracia duhet edhe të mbrohet edhe më tutje. Në këtë kuptim, demokratët e vërtetë kanë një disavantazh të rëndë. Ata janë të përkushtuar për liri të shprehjes së mendimit dhe për garë të lirë në mes të pikëpamjeve politike. Ndërkohë që përkrahësit e kësaj gare të lirë shtypen pa brejtje të ndërgjegjes nga diktaturat ose sistemet totalitare.

Pjesëmarrja në zgjedhje është thelbësore për një demokraci

Ne në Zvicër kemi fatin që mund të vendosim jo vetëm për parlamentin, gjatë votimeve por madje edhe për çështje konkrete në nivele federale, kantonale dhe komunale. Kështu, ne mund të vendosim për atë se çfarë infrastrukture duhet të ndërtohet, sa të larta duhet të jenë tatimet dhe cilat ligje duhet të vlejnë për ne. Është prandaj e rëndësishme që zviceranët e natyralizuar të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ata janë në mënyrë të drejtpërdrejtë të prekur nga të gjitha këto probleme.

Kur jemi te diaspora shqiptare e Kosovës, shumë prej tyre punojnë të mëvetësishëm si drejtues biznesesh. Ata janë të prekur drejtpërdrejt nga problemet e burokracisë dhe lartësisë së taksave. Por edhe të punësuarit duhet të paguajnë kontributet sociale dhe duan që dikur të kenë pensione të sigurta. Pastaj familjet me fëmijë duan një arsimim që funksionon mirë dhe së fundi duan siguri në Zvicër.

Unë jam anëtar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) mirëpo me këtë rast nuk e kam hallin të bëj një spot publicitar për partinë time. Ajo që dua të them është: secili që ka pasaportë zvicerane përballet me pyetjen se cilin do ta zgjedh unë ose çfarë do të votoj unë, pavarësisht nga rezultati. Ballafaqimi me idetë e ndryshme politike e bën njëherë demokracinë të fortë dhe e mpreh formimin e mendimit.

Kosova, në rrugë të mirë

Edhe një fjalë për situatën në Kosovë. Të gjitha shtetet në Evropën Lindore, të cilat në vitet `90 u desh që në rrethanat më brutale të luftonin për lindjen e tyre, vazhdojnë të vuajnë edhe sot. Zvicra, për fat të mirë ka qenë e kursyer nga luftërat e mëdha botërore. Shumë zviceranë prandaj mendojnë se demokracia është diçka që mund ta ndezësh aq thjesht sikur e ndez dritën në një ndërprerës elektrik. Me këtë rast harrohet se edhe në Zvicër u desh të luftohej për të fituar demokracinë. Për këtë arsye është e qartë se edhe Kosovës i nevojitet një kohë deri sa demokracia, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve të funksionojnë plotësisht. Por unë shoh përparime të mëdha në Kosovë dhe mbi të gjitha njerëz të rinj, të cilët e kërkojnë të drejtën për demokraci dhe përkundër pikëpamjeve të ndryshme politike, para syve kanë një qëllim: një demokraci që funksionon dhe një shtet juridik funksional. Këto dyja e përbëjnë themelin për ndërtimin e mëtejmë të përbashkët të performancës ekonomike të Kosovës.

Tetori, i rëndësishëm për Zvicrën dhe Kosovën

Kush voton, vendos. Për këtë arsye është e rëndësishme që e drejta e votës të shfrytëzohet patjetër, mirëpo është edhe në përgjegjësinë e secilit që të mendojë saktësisht se cilët persona dhe cilën politikë duhet ta votojë. Secili duhet të informohet në mënyrë të pavarur se cila është zgjedhje më e mirë për të. Merreni vet vendimin se cilin program doni ta votoni. Në këtë kuptim, uroj për të gjithë ne, kur është fjala për zgjedhjet, qoftë në Kosovë apo në Zvicër, një fushatë zgjedhore të drejtë dhe një pjesëmarrje të lartë.