Integrimi
Kush i përfaqëson shqiptarët në Zvicër?
Mërgata shqiptare në Zvicër dhe në vendet e tjera perëndimore, veçanërisht ajo e gjeneratës së dytë dhe asaj të tretë, është e farkuar që nga mosha më e re me përvoja të organizimit personal apo profesional në shoqëri funksionale demokratike dhe qytetare. Dita-ditës vetëm po dalin në shesh kuadro shqiptarë-zviceranë, në sektorë dhe nivele të ndryshme. Natyrisht se ky shpërthim është më se pozitiv. Por, paralelisht, ky realitet individual bie ndesh me pamjen e kundërt sa i përket angazhimit të kësaj gjenerate në strukturimin e komunitetit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesave të saj dhe kjo sikurse ndaj vendeve pritëse, edhe në ato të prejardhjes. Kjo pamundësi e organizimit të një suaze përfaqësuese të mirëfilltë, serioze, moderne dhe profesionale, është paradoksale, ngase resurset dhe vullneti i tyre për t’u kyçur në këto zhvillime ekziston.
Nuk mund të vihet në pyetje fakti se organizimi i shqiptarëve në Zvicër, në të kaluarën, në raport me zhvillimet kolektive në vendet e prejardhjes, ka qenë shumë më efikas dhe produktiv, me synim të realizimit të aspiratave politike dhe socio-ekonomike të tyre, edhe pse shumica e bashkëkombësve nuk kanë qenë të kualifikuar. Shumë ndryshime në vendlindje kanë qenë shpeshherë rezultat i angazhimit të diasporës dhe kjo falë vullnetit, solidaritetit, sakrificës si dhe organizimit të gjeneratës së parë. Mirëpo sot, kur janë pjekur kushtet që përfaqësimi i shqiptarëve të bëhet si grup interesi dhe si përgjigje ndaj nevojave të kolektivitetit, ai nuk është aspak në nivel. Ky vakum edhe i jep mundësi çdokujt të flasë në emër të tyre, pra edhe të matrapazëve dhe mediokërve që fillojnë nisma të ngjashme me interesa të “përgjithshme”, pa koncepte dhe pa asnjë lloj legjitimiteti.
Shqiptarëve u duhet një adresë legjitime e përfaqësimit të tyre dhe ku institucionet, organizatat dhe mediat e vendit pritës si dhe të prejardhjes mund t’iu drejtohen. Këtë synim të artikulimit të realitetit shqiptar në Zvicër e kishte pikërisht nisma e themelimit të Kuvendit Shqiptar në Zvicër. Në themelimin e bazamenteve të saj ishin mobilizuar intelektualë dhe aktivistë të shquar të fushave të ndryshme, me qëllimin për të krijuar një përfaqësim dinjitoz dhe modern të shqiptarëve në Zvicër. Ata sollën procesin deri në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjet e organit ekzekutiv, i cili, duhet të thuhet, nuk arriti ta përmbushë misionin e tij. Arsyet mund të jenë ndër më të ndryshmet, por ndoshta duhet të veçohet gabimi strategjik i tërheqjes nga ky trup ekzekutiv i shumicës së arkitektëve të tij. Kjo ndodhi për arsye krejtësisht të modestisë dhe dëshirës së tyre që të kyçen më shumë të reja dhe të rinj në këtë proces. Ndoshta është dashur të mendohet një periudhë transicioni që para se t’u jepet timoni, të fitojnë përvoja menaxhimi të strukturave të tilla. Por, fakt është po ashtu se edhe disa figura mjaft aktive në jetën e diasporës nuk e ndihmuan procesin, u munduan ta sabotojnë apo u tërhoqën kur kuptuan se kjo strukturë nuk do të mund të instrumentalizohet për caqe personale apo militante.
Tani, ndoshta ajo që mund ta shpëtojë Kuvendin nga kjo agoni është shndërrimi i tij në një çati institucionale në nivel të Zvicrës, por jo më në bazë të individëve si elektronë të lirë, të cilët mjerisht aktivizohen vetëm nëse arrijnë të ndajnë kohë nga aktivitetet e tyre personale. Kjo punë do angazhim serioz dhe profesional. Prandaj, nuk është utopi të mendohet një konsultë e organizatave shqiptare-zvicerane që funksionojnë dhe janë efikase që ta ndërtojnë një strukturë përfaqësuese, në formë të një forumi formal, të strukturave ekzistuese. Më konkretisht, pse të mos krijohet një strukturë strategjike, e cila përfaqëson, në mënyrë demokratike, organizata që momentalisht janë aktive në jetën e diasporës, duke filluar nga LAPSH-i, shoqatat me ndikim, strukturat fetare që përfaqësojnë xhamitë dhe kishat, bizneset, sindikatat, partitë politike, etj.
Prandaj, ky numër special i revistës Albinfo.ch i kushtohet kësaj teme, ka për qëllim të pasqyrohen strukturat kryesore të diasporës shqiptare që veprojnë në Zvicër, me qëllim që të nxitet një nismë e tillë.
Lexim të këndshëm!
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Siguruesi zviceran Helvetia thotë se 500 vende pune janë prekur nga ulja e kostove Rreth 500 vende pune, duke përfshirë 200 deri në 250 në Zvicër, janë prekur nga masat...
-
Zvicër: 5% më pak shitje të veturave të reja
-
Ka gjithnjë e më pak vende parkimi publike në qytetet zvicerane
-
Fermerët zviceranë të shqetësuar për të ardhurat dhe barrën administrative
-
Subvencionet publike për transportin publik po rriten në të gjithë Zvicrën