Lajme

Kush e përcakton fundin e pandemisë?

Një përcaktim të qartë se kur fillon dhe kur mbaron një pandemi, nuk ka. Po ashtu, kërcënimi që paraqet shpërthimi global i një sëmundjeje mund të ndryshojë nga vendi në vend.

“Është disi një gjykim subjektiv, sepse nuk ka të bëjë vetëm me numrin e rasteve. Ka të bëjë edhe me ashpërsinë dhe ndikimin”, thotë Michael Ryan, shef i urgjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Në janar të vitit 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli një koronavirus – që më vonë u emërua SARS-CoV-2 – “krizë globale shëndetësore, me shqetësim ndërkombëtar”.

Pak kohë më vonë, në mars të atij viti, OBSH-ja shpalli pandeminë, që nënkuptonte përhapjen e koronavirusit pothuajse në çdo kontinent.

OBSH-ja shpall pandemi shpërthimin e koronavirusit

Në më shumë se dy vjet e gjysmë deri më tash, mbi 6.5 milionë njerëz humbën jetën nga ky koronavirus, ndërsa u infektuan mbi 612 milionë, tregojnë shifrat e Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

Vaksinat dhe trajtimet ndihmuan në uljen e shkallës së viktimave dhe, sipas OBSH-së, numri i vdekjeve globale nga koronavirusi, javën e kaluar, ishte më i ulëti që nga marsi i vitit 2020.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se pandemia në SHBA “ka marrë fund”, edhe pse ky vend vazhdon të operojë nën urgjencën e shëndetit publik, e cila është shpallur për herë të parë në janar të vitit 2020.

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, tash për tash, pritet ta ripërtërijë këtë përcaktim në tetor.

Biden: Pandemia e COVID-19 ka përfunduar në SHBA

Ekspertë të sëmundjeve infektive thonë se pandemia mund të konsiderohet gjerësisht e përfunduar, kur OBSH-ja përcakton se virusi nuk është më emergjencë me shqetësim ndërkombëtar. Komiteti i ekspertëve të OBSH-së e rivlerëson gjendjen çdo tre muaj.

“Nuk do të ketë një ditë kur dikush do të thotë: Në rregull, pandemia ka mbaruar”, thotë Chris Woods, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Duke në SHBA.

Ai thotë se nuk ka kritere të miratuara në mënyrë universale për fundin e pandemisë, por shton se vendet ka të ngjarë të presin një periudhë kur numri i rasteve është në rënie të vazhdueshme.

Shkencëtarët presin që COVID-19 – sëmundja që e shkakton koronavirusi SARS-CoV-2 – të bëhet më e parashikueshme si gripi, që do të thotë se do të shkaktojë shpërthime stinore, por jo rritje të madhe të numrit të rasteve.

Por, edhe atëherë, thotë Woods, disa shprehi, të tilla si mbajtja e maskave në vende publike, mund të vazhdojnë.

“Edhe pasi të përfundojë pandemia, COVID do të jetë ende me ne”, thotë ai./Rel