Zhvillim

Kusari Lila fton afaristët në Cyrih të investojnë në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, po qëndron për vizitë dyditore në Zvicër.

Ditën e parë të vizitës numri një i Komunës së Gjakovës ka filluar në Cyrih me takime në disa kompani zvicerane.
Gjatë ditës së premte Kusari Lila ka vizituar kompaninë “Bako AG” në prodhimin e metalpërpunimit dhe transportit, ku u diskutua potenciali dhe interesimi i bizneseve prodhuese të Zvicrës, për të sjellë pjesë të proceseve të prodhimit në Gjakovë.

Gjithashtu, kryetarja Kusari-Lila në orët e mbrëmjes ka takuar edhe Roger-Rene Müller, CEO i Eventcourt, ku është biseduar për zhvillimin e sportit, në veçanti kthimin e volejbollit për femra në Gjakovë.

Sipas një komunikate nga Komuna e Gjakovës, bëhet e ditur se gjatë ditës së shtunë kryetarja e Komunës së Gjakovës do të takohet me bashkatdhetarë dhe me donatorë, të cilët janë të interesuar t’i ndihmojnë klubit futbollistik “Vëllaznimi”, si dhe përmasimit të infrastrukturës sportive në komunën e Gjakovës.

“Edhe pse Komuna e Gjakovës përballet me një situatë të rënduar financiare për shkak të obligimeve të trashëguara, mundësitë si për zhvillimin e sportit, ashtu edhe për sektorët e tjerë janë të mundura përmes investitorëve dhe donatorëve që tashmë po shprehin interesim të shtuar për të ndihmuar komunën e Gjakovës”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjakovës.