Kosova

Kurti uron Ylfete Fanajn

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi Ylfete Fanajn për pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ylfete Fanaj për postin e saj të ri si Kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Kurti tha se suksesi i Fanajt është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Ky është shkrimi i plotë i Kurtit:

“Sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheq këtë institucion, që njëherësh është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër.

Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More”, e cila shpreh si kujtesën e mallin për atdhe, ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar, i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe të kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidh e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen.

I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme”, përfundoi ai./albinfo.ch