Kosova

Kurti thërret diasporën për të bërë ndryshimin në Kosovë

Ndryshimi tani është i domosdoshëm, ka thënë Kurti para bashkatdhetarëve të tubuar në Aarau. Sepse shteti, tashmë i lodhur dhe i zhvatur i Kosovës “nuk mund të përballojë edhe një qeverisje tjetër” si këto të deritashmet

Publiku në një numër shumë të madh, kishte rreth një orë që po priste. Muzika, kryesisht nga estrada kosovare buçiste nga altorparlantët ndërsa pritej ardhja e Albin Kurtit, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje. Takimet e tij me diasporën në Zvicër janë gjithmonë emocionuese dhe priten me interesim të madh. Aq më tepër tani – kur zgjedhjet janë në prag dhe pakënaqësia me zhvillimet në atdhe duket t`i jetë afruar pikës së vlimit – shpresat e një pjese të mirë të mërgatës janë lidhur me një politikan karizmatik si Albin Kurti.

Në momentin që Kurti do të hynte në sallë, të gjithë u ngritën në këmbë: ovacionet: “Albin Kurti, Albin Kurti!” jehuan në sallën e stërmbushur, të stolisur me flamuj shqiptarë. Muzika ndryshon: Tash në eter derdhet “Amaneti i klounit”. Kjo këngë e shndërruar në himn të rebelimit kundër kapjes së shtetit, shkon me imazhin e Kurtit. Ai ka kohë që identifikohet me këtë frymë kryengritëse, të cilën e përcjell kënga.

Fjalët e para të Albin Kurtit drejtuar publikut, siç mund të pritej, ishin shprehjet e falënderimit për mërgatën, për rolin e saj në të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe sidomos frymën e saj atdhetare. “Ju jeni jashtë atdheut por pjesë e kombit”, ka përsëritur ai disa herë, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve. Sipas Kurtit, mërgata ka ruajtur cilësitë më të mira që tradicionalisht kanë karakterizuar shqiptarët, shkruan albinfo.ch. Ai ka veçuar se mërgimtarët, duke mos qenë të lidhur në ingranazhet e pushtetit të kapur, “duke mos qenë në listat e rrogave” në Kosovë, kanë përparësinë që të gjykojnë të pavarur. Dhe, kush gjykon pa qenë i varur nga frika për mbijetesë, do të jetë natyrshëm kundër kapjes së shtetit që po ndodh prej sa vitesh në Kosovë.

“Diaspora ka zemrën, trurin dhe muskujt”

Kurti ka thënë më tutje se tashmë, mjerisht, në mërgatë i kemi edhe intelektualët më të mirë, edhe ndërmarrësit më të fortë e më të ndershëm, artistët e sportistët më të mirë, me një fjalë, sipas tij, diaspora ka zemrën, trurin dhe muskujt. Një fuqi e tillë sot i nevojitet Kosovës për ndryshim dhe këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm Vetëvendosja, ka thënë ai. Dhe me këtë rast ka thirrur mërgimtarët që të marrin pjesë në zgjedhjet që mbahen më 6 tetor, në të cilat Vetëvendosje do të fitojë, edhe si rezultat i mbështetjes nga diaspora, ka thënë, i sigurt Albin Kurti.

“Dëgjojmë shpesh ankesat nga mërgimtarët se “nuk jemi as në Kosovë as në Zvicër ose as në Kosovë as në Gjermani etj. Por është e kundërta. Ju jeni edhe në Kosovë, edhe në Zvicër, edhe në Kosovë edhe në Gjermani”, ka thënë Kurti duke i inkurajuar ata që të përfitojnë nga një pozitë e tillë dhe të votojnë në të dy vendet ku kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

I pyetur nga publiku për abuzimet me sigurimin e makinave në Kosovë, Kurti ka thënë se ky biznes i ndytë që po zhvillohet në kurriz të mërgimtarëve, ka një adresë të saktë: në krye të agjencisë që vjel këtë haraç janë vëllai i presidentit aktual dhe vëllai i ish presidentit të Kosovës. Janë dy mbiemra të përveçëm: Thaçi dhe Pacolli. Por, pas 6 tetorit nuk do të ketë më vëllezër, kushërinj e ilake në poste të tilla”, ka siguruar Kurti, duke trimëruar mërgatën për të qenë pjesë e zgjedhjeve dhe e zgjidhjes.

Ndryshimi tani është i domosdoshëm, ka thënë më tutje kreu i VV, shkruan albinfo.ch. Sepse shteti, tashmë i lodhur dhe i zhvatur i Kosovës “nuk mund të përballojë edhe një qeverisje tjetër” si këto që i ka pasur gjithë këto vite nga çlirimi dhe nga pavarësimi, ka paralajmëruar ai.

Shfrytëzimi i të drejtës së votës, detyrim qytetar

Tubimi masiv në Aarau ka shërbyer edhe si tribunë për politikanin e njohur zviceran, deputetin në Parlamentin Nacional, Cedric Wermuth, pak para fillimit të fushatës zgjedhore për këtë parlament. I njohur si mik i shqiptarëve, (bashkëkryetar i grupit parlamentar për mbështetje të Kosovës në Parlamentin e Zvicrës), Wermuth ka folur për fuqinë e votës dhe nevojën që kjo fuqi të shfrytëzohet për të mirën e përbashkët. Ai ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë të drejtë vote të mos e lënë të papërdorur këtë të drejtë. Ndryshe, nuk kanë të drejtë të ankohen kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Wermuth është angazhuar edhe për të drejtën e votës për të huajt që nuk kanë shtetësi zvicerane, por, siç ka thënë, për një gjë të tillë ka rezistencë të madhe nga blloku i djathtë në parlament. Prandaj, politikani socialdemokrat zviceran ka apeluar që sa më shumë të huaj që i plotësojnë kushtet, të aplikojnë për të marrë pasaportën zvicerane. Ndërsa ata që këtë pasaportë tashmë e kanë, ta shfrytëzojnë maksimalisht të drejtën e votës.

Edhe në bashkëbisedimin e zhvilluar në mes të Kurtit dhe Cedric Wermuth-it, pjesëmarrja në demopkraci ka qenë tema qëndrore. Dy politikanët në fjalë, secili nga këndi i vendit që përfaqësojnë, kanë shpalosur argumente në lidhje me rëndësinë e aktivizimit të popullit, pjesëmarrjes së tij sa më të madhe në proceset shoqërore. Kurti dhe Wermuth me këtë rast u janë përgjigjur pyetjeve të moderatores dhe pastaj edhe atyre të publikut, që kishin të bënin me proceset politike që po kalojnë Kosova dhe Zvicra dhe me pjesëmarrjen e shtetasve të dyfishtë, zviceranë e kosovarë në këto procese.

Siç ndodh edhe herëve tjera në takimet e politikanëve të ardhur nga atdheu, pas përmbylljes së tubimit, Kurti u mbajt rreth një orë nga bashkatdhetarët e interesuar të komunikonin dhe të bënin një fotografi për kujtim me të.