Kosova

Kurti takon të mbijetuarit e masakrës së Poklekut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Elhame Muqollin, e mbijetuar e masakrës së Poklekut, Teuta Elshanin, familjare e të rënëve, Afrim Hysenaj, autori i monografisë për masakrën e Poklekut dhe Fadil Muqolli, familjar dhe pronar i Shtëpisë Muze.

Gjatë bisedës, e mbijetuara e masakrës, Elhame Muqolli, ndau përjetimet e saj gjatë luftës dhe masakrës së Poklekut, teksa shprehu pakënaqësinë e saj me mungesën e drejtësisë për këto krime tash e 25 vjet.

Kurti ka falënderuar  të mbijetuarit për qëndresën, sakrificën e kurajën e tyre, dhe theksoi rëndësinë e dëshmimit dhe dokumentimit të krimeve, duke i qëndruar besnik historisë sonë dhe duke insistuar në të drejtën tonë që të gjithë kriminelët, qofshin ata urdhërdhënës, qofshin ekzekutues, të përfundojnë prapa grilave në drejtësinë vendore ose asaj ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti pranoi nga autori Afrim Hysenaj dy librat e tij, monografinë për masakrën e Poklekut me titull “Shtëpia me gjak në mure”, që do të promovohet nesër në Shtëpinë Muze të Poklekut, dhe monografinë për masakrën e familjes Delijaj në Abri të Epërme, e titulluar “Toka skuq e qielli nxin”.

Në masakrën e Poklekut, më 17 prill 1999, u masakruan 53 civilë shqiptarë, në mesin e tyre pesë foshnja, më e vogla ishte 6 muajsh. Pas ekzekutimit, forcat serbe u kthyen dhe i dogjën kufomat dy herë.