Kosova

Kurti takohet me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, po vijon takimet me krerët e institucioneve të Kosovës. Osmani është pritur në takim edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë takimit, ministri Osmani ka uruar kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe për procesin zgjedhor demokratik dhe institucionet e reja të dala nga ky proces.

Ai theksoi që kjo ishte vizita e tij e parë zyrtare në Kosovë, që kur është zgjedhur Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 30 gusht 2020.

Po ashtu, të dy vlerësuan marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si model i fqinjësisë së mirë.

Vlen të theksohet se kryeministri Kurti dhe ministri Osmani biseduan për veprime konkrete dhe koordinim më të mirë mes dy qeverive, për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave.

Gjithashtu u dakorduan lidhur me hapat e mëtejmë rreth organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh mes të dy shteteve.

Ministri Osmani u shpreh i lumtur për konfirmimin e pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e Prespës, që planifikohet të mbahet në korrik të këtij viti. Temë e takimit ishte edhe çështja e integrimit evropian, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Po ashtu, Osmani gjatë ditës është takuar edhe homologen e tij, Donika Gërvalla, si dhe presidenten Vjosa Osmani.

Ai tha se shteti i tij mbështet dialogun Kosovë-Serbi që përfundon me njohje reciproke dhe se mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

Ministri Osmani është deklaruar ku tha se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, teksa mbështet edhe dialogun Kosovë – Serbi.