Uncategorized

Kurti ‘pranon’ humbjen

Në një status në Facebook, Kurti thotë se Vetëvendosje duhet të analizoj se çka ka shkuar keq në këto zgjedhje, derisa i uron kandidatët e kësaj partie në zgjedhjet e balotazhit

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka pranuar se partia e tij nuk i ka shënuar pritshmëritë në zgjedhjet e djeshme, duke mbetura partia e tretë në nivel vendi.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, ka ngritur dyfish votat në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale, prapë nuk është rezultati që kishte pritur dhe synuar kjo parti.

Në një status në Facebook, Kurti thotë se Vetëvendosje duhet të analizoj se çka ka shkuar keq në këto zgjedhje, derisa i uron kandidatët e kësaj partie në zgjedhjet e balotazhit.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale 2017 ishte gati dyfishim i atij të zgjedhjeve lokale katër vite më parë. Më 3 nëntor 2013 hymë në balotazh vetëm në kryeqytet dhe asokohe si të dytët. Me 22 tetor 2017, përveç në kryeqytet ku prin Shpendi, jemi në balotazh edhe në pesë e ndoshta edhe gjashtë komuna të tjera. Megjithatë, ky rezultat nuk ishte ai që shpresonim dhe as ai që prisnim”, thotë Kurti.

“Sigurisht kjo duhet trajtuar edhe me vetëkritikë. Këto ditë duhet të jenë edhe ditë analize konkrete sipas komunave dhe ditë reflektimi mbi strategjitë e veprimet: cilat janë dobësitë e organizatës sonë dhe si mund t’i rregullojmë ato; cilat janë mangësitë e ligjërimit tonë dhe si mund t’i plotësojmë ato:, shkruan më tej ai. Megjithatë Kurti uron kandidatët e kësaj partie nëpër komuna: Basri Kodrën, Qëndron Kastratin, Ajet Poterën, Sami Kurteshin, Mytaher Haskukën dhe Shpend Ahmetin për balotazhin, e madje shpreson që edhe Besim Muzaqi në Vushtrri të mbërrijë në balotazh.

“Këto komuna janë gjysma e Kosovës. Të punojmë me gjithë kapacitetin tonë që këto komuna të ecin përpara në rrugën e zhvillimit dhe të bëhen model për gjithë Kosovën”, shkruan Kurti. Ndryshe, në bazë të votave të numëruara deri më tani për asambletë komunale, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë partia më e madhe, e cila në nivel vendi ka marrë gjithsej 173.967 vota në zgjedhjet lokale.

LDK ka lënë prapa vetes Partinë Demokratike të Kosovës, që në zgjedhjet lokale ka arritur të sigurojë 159.095 vota. Lëvizja Vetëvendosje, që doli më e votuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 11 qershor, ka pësuar një rënie të ndjeshme. LVV ka marrë 113.037 vota në zgjedhjet lokale të së dielës, duke u renditur e treta në nivel vendi. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën votimi i së dielës e ka nxjerrë partinë e katërt më të madhe në Kosovë me 96.102 vota.