Kosova

Kurti për SRF: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka lënë Serbinë fajtore për situatën në veri. Sipas tij Kosova nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj kundër një agresori serb. Këto deklarata Kurti i bëri në një intervistë për televizionin kombëtar të Zvicrës SRF ku mes tjerash foli për tensionet që Serbia shkaktoi në veri.

“Serbia mban 48 baza operacionale përpara rreth kufirit të Kosovës në afërsi prej më pak se pesë kilometra. 28 nga këto baza janë ushtarake, 20 janë zonë xhandarmërie. Pra, gjendja nuk është aq e mirë sa i përket marrëdhënieve tona, sepse ata po na provokojnë gjatë gjithë kohës dhe duan ta bëjnë Kosovën në një gjendje jofunksionale dhe po bëhen gjithnjë e më nervozë sepse ne jemi të suksesshëm”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Derisa kur u pyet për kritikat që ka marrë nga diplomatët perëndimorë për mosgatishmërinë për kompromis, Kurti tha se është parimor.

” Kam qenë parimor për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe demokracinë e vendit tonë. Ne jemi një shtet i ri, por popull i lashtë dhe nuk mund të heqim dorë nga funksionaliteti i shteteve tona dhe në të njëjtën kohë nga integriteti territorial dhe integriteti i kufijve.”, tha ai përcjell albinfo.ch.

Kurti foli edhe për trajtimin që bashkësia ndërkombëtare ia bên Serbisë.

“Epo, kjo është shumë e rrallë, duhet të them. Por për të tërhequr Serbinë drejt Perëndimit, ata ndonjëherë preferojnë të gjejnë një rrugë të mesme. Por nga tensionet që kemi pasur kohët e fundit, është e qartë se nuk mund të ketë asnjanësi, asnjë rrugë të mesme mes zjarrit dhe zjarrfikësit. Kështu që unë mendoj se duhet t’u përmbahemi vlerave. Kosova është pro-evropiane. Kosova dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO dhe Kosova është progresive dhe demokratike”, tha ai.

Ndërsa kur u pyet se çfarë është i gatshëm ti jap Serbisë, kryeministri i Kosovës tha se marrëveshja duhet të rezultojë me njohje reciproke.

” Duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk mund të shpikim makinën e kohës dhe të kthehemi prapa, as para 1999 kur u çliruam, as para 2008 kur shpallëm pavarësinë Pra, duhet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po them se kjo është pika e vetme e marrëveshjes së ardhshme, por është pika qendrore”, tha Kurti.