Kosova

Kurti për shpërthimin afër Ujmanit: Sulm kriminal, nervoza u bë agresivitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas hedhjes së granatës në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti e ka quajtur shëprthimin sulm kriminal, teksa u shpreh se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka deklaruar se autorët e krimit do të dalin para drejtësisë.

“Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar ai.