Kosova

Kurti paralajmëron shpërblime për ata që angazhohen në punë vullnetare në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi ka paralajmëruar se personat që angazhohen vullnetarisht do të shpërblehen me çmime.

“Në Kosovë ka shumë qytetarë që angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë tonë. Këto kontribute meritojnë të promovohen dhe të falënderohen”, tha Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i nominojnë “të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”.

Sipas Kurtit, ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në dhjetor.

Afati për nominime për Çmimet e Vullnetarizmit është deri më 30 shtator 2024, përmes organizatës TOKA, siç shkroi ai në Facebook.