Kosova

Kurti në takim bilateral me Scholz, flasin për sigurinë pas sulmit të 24 shtatorit

Gjatë qëndrimit në Tiranë në kuadër të ​samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kryeministri Kurti e falënderoi Kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të lidhura me vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë, tha ai.

Kryeministri e falënderoi Kancelarin për rienergjizimin e Procesit të Berlinit, të cilin Kosova e mbështet fuqishëm.

“U bisedua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri Kurti theksoi se ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së saj.