Kosova

Kurti: Në 2 muajt e fundit kemi importuar 40 % të energjisë

Për rritjen e çmimit të energjisë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti është shprehur se në dy muajt e fundit kanë importuar 40 për qind të energjisë elektrike.

Ai nënvizoi se vetëm për një ditë kanë paguar 2.5 milionë euro për blerjen e energjisë.

“Na është dashur të importojmë 40 për qind të energjisë elektrike, vetëm për 1 ditë kemi paguar 2.5 milionë euro. Por, një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Tarifat e reja praktikohen vetëm për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë”, sqaroi kryeministri i Kosovës.

Në Kosovë është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovatë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 centë për kilovat dhe 5.9 centë për tarifën e ulët. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë do të jetë 7 centë, ndërsa ajo e ulët 3 centë.