Kosova

Kurti: Mërgata e ka vullnetin dhe dijen për ndryshimet që na duhen

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë ftesë diasporës që të marrë pjesë në protestën e së shtunës.

“Besojmë që është e domosdoshme që mërgata në atë javë po pati mundësi të vijë masivisht në Kosovë, meqenëse ata janë kontributor shumë të mëdhenj jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për shtetndërtimin. Edhe sa i prekët mbijetesës sociale,  por në anën tjetër, ata nuk fitojnë asgjë, vetëm plaçkiten shumë”, ka thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka thënë se ka vërejtur interesim të madh të diasporës për të marrë pjesë në protestë, për shkak se tha se “ndodhemi në një situatë paradoksale”. “Mërgata e ka vullnetin dhe dijen për ndryshimet që na duhen. Në vitin e kaluar kanë sjellë 760 milionë euro në kanalet zyrtare, pa e llogaritur dasmat që i bëjnë verës e shumë çka tjetër dhe nëse i mbledhim këto, janë më shumë se 1 miliard. S’ka vend tjetër në botë që mërgata sjell gjysmën e buxhetit të shtetit, e shteti nuk bën asgjë për ta”, ka thënë Kurti, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se në ndryshimet e reformës zgjedhore do të propozojë që mërgata të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullatat e Kosovës. Kurti ka thënë se pushtetet e deritanishme e kanë dashur paranë e mërgatës, por jo votën e mërgatës.