X

Na ndiqni:

 Kosova

Kurti kujton Agim Ramadanin në 26 vjetorin e rënies

"Angazhimi i tij si luftëtar i UÇK-së, ishte vepra më sipërore mes veprave të tij aq të shumëllojta: nga pikturat te poezia..."

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot heroin Agim Ramadani me rastin e përvjetorit të 26-të të rënies së tij në Betejën e Koshares.

Kurti, në një postim në Facebook, tha se angazhimi i tij si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte vepra më sipërore mes veprave të tij aq të shumëllojta: nga pikturat te poezia dhe nga fjalimet frymëzuese te mësimet ushtarake.

“Si piktor, Agim Ramadani ka lënë pas tablo të pikturuara në mënyrë shumë organike, ndërsa si poet, ai na ka lënë në vargje pasionin dhe dashurinë e tij për lirinë.  Por vepra më komplekse e Katanas është angazhimi intensiv dhe lufta e tij për çlirimin e Kosovës.”, ka shkruar Kurti.

Kurti tha se nga rënia e tij më 11 prill 1999 përgjatë luftimeve të Betejës së Koshares, u ngrit vepra e tij më e madhe, e krijuar në bashkautorësi me të gjithë dëshmorët – vepra e lirisë.

Sot bëhen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani “Katana”, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë. Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët.

Pas rënies së tij, Brigada 138 e Zonës Operative të Dukagjinit u emërua “Agim Ramadani”.

Në fshatin e lindjes së tij, Zhegër të komunës së Gjilanit, i është ngritur përmendorja.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihej me emrin Katana.


Reklamë
Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë