Kosova

Kurti: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen

“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch.

Kështu e nis kryeministri i Kosovës Albin Kurti përkujtimin për masakrën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në Lagjen e parë në Gjakovë. Aty forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë.

Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç.

“Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e denim për to. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, shkruan Kurti/albinfo.ch/