Kosova

Kurti jep mbështetje për kombëtaren e Kosovës për vendimin në ndeshjen me Rumaninë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të dielën e kanë vizituar përfaqësuesen e Kosovës para ndeshjes me Lituaninë.

Kryeministri Kurti shprehu mbështetje të plotë për vendimin që futbollistët dhe Federata e Futbollit e Kosovës refuzuan ta vazhdojnë ndeshjen me Rumaninë pas thirrjeve anti-Kosovë.

“Është kënaqësi dhe nder që takohemi sot bashkë. Së pari duhet t’ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që e keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë të shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”, u shpreh Kurti.

Kosova dhe Lituania të hënën do të përballen nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të Grupit C2.