Kosova
Kurti: “Jemi komb i fuqishëm me dy shtete ende të dobëta, këtë duhet ta ndryshojmë”
Në takimin me kryemistrin Kurti në Konsullatën e Kosovës në Cyrih morën pjesë aktivistë politikë shqiptarë në Zvicër, politikanë të përfaqësuar në parlamentet dhe ekzekutivët e qyteteve dhe të kantoneve të Zvicrës, pastaj intelektualë, mjekë, afaristë etj.
“Ne, shqiptarët, jemi një komb i fuqishëm, por që kemi ndërtuar shtete të dobëta”. Ky ishte njëri ndër konstatimet më të shpeshta që bëri në bashkëbisedim me pjesëtarë të mërgatës shqiptare në Cyrih kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka shfrytëzuar nga rasti i pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik të Davosit që të zhvillojë edhe disa takime me bashkatdhetarët në Zvicër. Takimi i radhës ishte ky që u mbajt të mërkurën, më 25 maj, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, raporton albinfo.ch.
Të pranishëm ishin shumë nga aktivistët e njohur politikës shqiptarë në Zvicër, sidomos ata që janë të përfaqësuar në parlamentet dhe ekzekutivët e qyteteve dhe të kantoneve të Zvicrës, pastaj intelektualë, mjekë, afaristë të suksesshëm etj.
Takimi u hap me mirëseardhjen e “nikoqirëve”, shefit të Konsullatës, z. Sami Kastrati dhe të ambasadorit, Sami Ukelli, të cilët i dhanë fjalën kryeministrit Kurti dhe bashkatdhetarëve të pranishëm.
Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar mërgimtarëve me konsideratën e tij të njohur, të madhe për punën dhe kontributin e tyre për të gjitha fazat e ngritjes së shtetit të Kosovës dhe për çështjen kombëtare në përgjithësi.
“Ndryshe nga vendet e tjera, ne, shqiptarët, fillimisht kemi pasur `ambasadat` tona në vendet e botës e pastaj kemi ndërtuar shtetet tona. Këtu kam parasysh ekzistimin e shoqatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli” në SHBA, si pararendëse të formimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe sigurisht, ekzistimin e një mërgate të fuqishme në vende si Zvicra, Gjermania etj., e cila ka meritat si “ambasadore” për çlirimin dhe ngritjen e shtetit të Kosovës, në fund të shekullit 20”, ka thënë ai.
Duke folur pastaj për funksionimin e shteteve përkatëse, Kurti ka bërë konstatimin dëshpërues se, “ndonëse jemi dëshmuar si komb i fuqishëm e vital, ne, shqiptarët, nuk po tregohemi të suksesshëm në ndërtimin e shtetit-shteteve tona”. Në lidhje me këtë konstatim, ai ka kërkuar ndihmën e mërgatës, e cila, veç parave, duhet të sjellë me vete edhe ekspertizën e fituar në perëndim, për të ngritur struktura të shëndosha të shtetit të Kosovës.
Në këtë vazhdë, ai u është përgjigjur edhe shqetësimeve të ngritura nga disa bashkëbisedues, për pengesat që u bëhen mërgimtarëve të cilët vendosin të kthehen për të kontribuuar në atdhe. Kurti, me këtë rast ka theksuar se janë evidente barrierat, pengesat që u vihen ekspertëve të cilët marrin vendimin për të punuar në institucionet kosovare. Madje ai ka theksuar se këto pengesa, për fat të keq, janë shumë të mëdha, pasi, sipas tij, me ndërrimin e qeverisë dhe përbërjes së parlamentit, mjerisht nuk ka ndryshuar struktura burokratike, klanore e klienteliste e shumë segmenteve të shtetit dhe të shoqërisë së Kosovës, shkruan albinfo.ch. Prandaj, ka shtuar ai, ardhja nga jashtë duhet të jetë më e madhe, në mënyrë që këto barriera të thyhen dhe të arrihet funksionimi i dëshiruar i institucioneve.
Kryeministri Kurti u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të bëra nga të pranishmit, duke elaboruar edhe çështje konkrete të ngritura si shqetësime. Kështu ai ka folur për problemin e energjisë elektrike, burimet që ka në dispozicion Kosova dhe ato që preferohen për tu përdorur në të mirë të mbrojtjes së ambientit, për riciklimin, biletat e shtrenjta të fluturimit për në Kosovë, ikjen e mjekëve nga kosova dhe probleme të tjera.
Kurti, me këtë rast ka përmendur se me gjithë konsideratën për mbrojtjen e ambientit, Kosova e varfër nuk e ka luksin të heqë dorë nga burimi kryesor që zotëron për prodhimin e energjisë elektrike, nga linjiti. Për më tepër, ai ka përmendur se personalisht nuk i përjashton as centralet nukleare dhe as gazin, si burime për energjinë elektrike. Këto ai i ka përmendur duke ju referuar punës së grupit për ndërtimin e strategjisë energjetike që është duke u bërë aktualisht.
Në këtë pikë, ai ka gjetur miratimin nga Përparim Avdili, parlamentar i FDP-së në qytetin e Cyrihut dhe mospajtimin nga Qëndresa Hoxha Sadriu e PS-së, parlamentare e Kantonit të Cyrihut.
Kurti me këtë rast ka thënë që është i nevojshëm dhe shumë i mundshëm bashkëpunimi i ngushtë në këtë fushë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Burimet tona energjetike janë komplementare mes vete, kur dihet se në Shqipëri kemi energji të përfituar nga uji, hidrocentralet ndërsa në Kosovë, nga linjiti, termocentralet. Shfrytëzimi reciprok i këtyre burimeve është i leverdishëm edhe nga aspekti sezonal, pasi burimet ujore të energjisë janë më të mëdha në stinët me reshje etj.
Në bashkëbisedimin e zhvilluar në Cyrih, Kurti ka folur edhe për kushtet, sipas tij, ideale për të bërë biznes në Kosovë, shkruan albinfo.ch. Duke ju përgjigjur pyetjes së një aktivisti politik se si të orientojmë zviceranëve që interesohen të investojnë në Ballkan, për të kthyer investimet e tyre pikërisht në Kosovë, kryeministri, veç tjerash ka thënë: se ata, duke sjellë investimin në Kosovë, investojnë në një vend i cili në të gjithë parametrat ka shënuar ngritje cilësore, në raport me vendet tjera në Ballkan.
Këtu ai ka përmendur disa ranglista që e tregojnë Kosovën në një dritë dukshëm më të mirë se vendet fqinje, si për lehtësirat e investimit, lirinë e lëvizjes, lirinë e shtypit, lehtësinë e bërjes biznes etj.
Kurti në këtë kontekst ka folur edhe për rritjen e madhe të buxhetit për mbrojtjen e Kosovës (FSK) dhe për bujqësinë, si degë strategjike e ekonomisë së Kosovës.
Pjesëmarrje eminente
Profesor Sokrat Sina, katër parlamentarët aktualë të Cyrihut: Përparim Avdili, Reis Luzhnica, Gadaf Muharemi dhe Islam Alijaj, parlamentarja e Kantonit të Cyrihut, Qëndresa Hoxha-Sadriu, anëtarja e ekezekutivit të qytetit Monthey (Valis) Afërdita Bogiqi, parlamentari i Kantonit të Bernës, Korab Rashiti, kryetarja e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës, Merita Pinta, aktivistët e njohur të sindikatës dhe të komunitetit shqiptar, Osman Osmani e Hilmi Gashi, kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Orhan Spahiu, mjeku Mentor Bilali, afarist si Esat Lika etj., ishin disa nga pjesëmarrësit e kësaj mbrëmjeje.
(Fotot: Armend Berisha, albinfo.ch)
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë