Kosova

Kurti i kërkon BE-së të mbajë premtimet

Kurti tha se si kryeministër i një shteti, qytetarët e të cilit “mbahen të izoluar, duke mos iu lejuar liberalizimi i vizave”, e kupton frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të bëjë pjesën e saj duke mbajtur premtimet e dhëna. Ndërkohë ai ka premtuar se Kosova do të bëjë detyrat e saj sa i përket përmbushjes së reformave.

Gjatë takimit të Procesit të Berlinit, Kurti tha se edhe 7 vjet pas kësaj nisme, situata në Ballkan nuk ka ndryshuar shumë.

“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat”, tha Kurti.

Gjatë fjalës së tij kryeministri kosovar tha po ashtu se si kryeministër i një shteti, qytetarët e të cilit “mbahen të izoluar, duke mos iu lejuar liberalizimi i vizave”, e kupton frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE.