Lajme

Kurti fton mërgimtarët të aplikojnë për pozitat e hapura në Kosovë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ftuar të gjithë profesionistët dhe mërgimtarët të konkurrojnë në pozitat e hapura në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Sipas tij, ka një Rregullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm pasi vendimet e këtij institucioni ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë”, shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Ne kemi një regullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator.
Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë.

Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi. Rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita.

Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë.