Kosova

Kurti: E largojmë masën, nëse e largon edhe Serbia

Problemi me targat: Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar përsëri se është i gatshëm të largojë masën për targa nëse njësoj vepron edhe Serbia. “E kam bërë të ditur edhe në takimin e djeshëm me ambasadorët e QUINT-it dhe jam i gatshëm në çdo kohë që këtë masë ta heq nëse kemi një zotim edhe nga pala e Serbisë. Policët kufitarë asnjëherë nuk kanë kërkuar ose hulumtuar për përkatësinë e udhëtarëve, ata janë marrë me targat, nuk është shkelur asnjë e drejtë e qytetarëve”, tha Kurti.

Kurti u shpreh i gatshëm të zhvillojë takime e bisedime për këtë çështje në Bruksel.

Sipas Kurtit, prania e njësive speciale në veri të vendit është për mbrojtje të Policisë së Kosovës. “Njësia speciale e policisë në pikat 1 dhe 31 është vetëm për të mbrojtur policët tanë, dhe për të mbrojtur pikat. Nuk kanë fare të bëjnë me qytetarët e vendit, por kanë të bëjnë me qarkullimin dhe zyrtarët në pikat kufitare”, tha Kurti.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur vetura me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Kur ka skaduar afati për targat e diskutueshme?

Periudha pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator 2021.

“Ky ka qenë afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator. Ai ka thënë se këto targa do të konfiskohen.

Mst: Çfarë në lidhje me targat me qytetet e Serbisë?

Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull, BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”.

“Problemi është se kanë ndalur një makinë me targa të Vranjës dhe më pas i kanë hequr targat e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, sepse nuk u kanë pëlqyer”, ka thënë Vuçiq më 20 shtator, duke shtuar se një gjë e tillë nuk thuhet në asnjë dokument.

Marrëveshja e Brukselit nuk i përmend shprehimisht kushtet për hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të qyteteve në Serbi.

Teksti i Marrëveshjes nga viti 2011, i cili është publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Kosovës, thotë se “pala kosovare ruan të drejtën që, pas konsultimeve me Bashkimin Evropian, të aplikojë regjimin e targave të përkohshme”.

Masat e reciprocitetit

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Kurti ka thënë në disa raste më herët se do të vendosë masa reciprociteti ndaj Serbisë në të gjitha fushat.