Kosova

Kurti bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”.

Janë bërë plotë 26 vjet nga Beteja e Koshares që shënoi një moment të lavdishëm në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përcjell albinfo.ch.

Ajo betejë e cila i dha fund ndarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishte një akt i pastër besimi dhe sakrifice për liri, që vazhdon të frymëzojë breza të tërë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”.

Ai kujtoi betejën e lavdishme të Koshares dhe shprehu mirënjohje për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.

“26 vjet më parë, me betejën e lavdishme të Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj, shembi kufirin që ndante shqiptarët, kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht nga vitit 1918”, tha Kurti.

Në këtë betejë të rëndësishme, ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, përfshirë komandantin Agim Ramadani, i njohur si “Katana”, dhe Sali Çekun.

Pjesë e kësaj lufte ishin gjithashtu vullnetarë nga shtete të ndryshme si Franca, Algjeria, Italia, Suedia dhe Britania, ndërsa ushtria serbe ishte mbështetur nga mercenarë rusë.

Për të kujtuar sakrificat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Kurti tha: “Ne vijmë këtu te varret e dëshmorëve që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetës se sa e lartë ishte sakrifica e tyre, sa e lavdishme është lufta e UÇK-së dhe sa i madh çmimi i lirisë që e gëzojmë, të shtetit të cilin po e ndërtojmë së bashku.”