Kosova

Kurti ashpërson reciprocitetin, Hoti thotë se do ta heqë

Së fundmi, Qeveria Kurti ka marrë vendim për ashpërsimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ka vendosur që asnjë maune të mos hyjë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës. Por ky vendim nuk është mirëpritur nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili ka kërkuar largimin e menjëhershëm të këtyre masave. Ndërsa i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar shfuqizim të menjëhershëm të masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti ndaj Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Edison Jakurti, barrierat e vazhdueshme nga Serbia janë ndër arsyet për ashpërsimin e këtyre masave.

“Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë”, ka thënë Jakurti për koha.net.

Sipas tij, krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, MEPTINIS ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk e njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Qeveria konstaton se barrierat e Serbisë po vazhdojnë t’i dëmtojnë eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe të shkaktojnë deficit tregtar për Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, duke u mbështetur në parimet dhe arsyet e sipërcekura, Qeveria vendosi të plotësojë si në dispozitiv masat e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar ai.

I pyetur pse është marrë në këtë kohë pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese që u jep të drejtë partive të tjera për të bërë Qeverinë, ai ka thënë se me vendimin e mbrëmshëm dhe ato paraprake po mbrohen Kushtetuta dhe Republika e Kosovës. Kjo, pasi, sipas tij, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës. “Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne iu kundërvumë me masë reciproke”, ka thënë Jakurti. /Albinfo.ch