Kosova

Kurti ‘akuzon’ Perëndimin për “përkëdhelje” të Serbisë

Kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian po dështon të luajë rolin e arbitrit në zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga blloku për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi të premten zyrtarët perëndimorë për “përkëdhelje” të Serbisë, të nxitur nga, siç tha ai, frika e tepruar se Beogradi do të afrohet më shumë me Moskën.

Në një intervistë në Bruksel për agjencinë e lajmeve Reuters, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian po dështon të luajë rolin e arbitrit në zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga blloku për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, raporton Zëri i Amerikës, transmeton albinfo.ch.

“Unë mendoj se përkëdhelja (perëndimore) e Serbisë për dy vjet e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë nuk po shpaguhet. Dhe dikush duhet të thotë: ‘Mjaft më”, tha ai duke nënvizuar se lidhjet ndërmjet Beogradit dhe Moskës po e bëjnë Perëndimin të jetë shumë i kujdesshëm ndaj Serbisë.

“Dhe pasoja është se Kosova gjithashtu po paguan çmimin dhe kjo nuk është e drejtë”, tha ai.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, edhe pse e ka dënuar agresionin e Moskës. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka thënë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.

Megjithatë armatimet serbe e kanë gjetur rrugën e tyre drejt forcave ukrainase, megjithëse qeveria serbe thotë se nuk po i furnizon ato.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara e kanë fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për dështimin për të ecur përpara me marrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të arritur në mars të vitit të kaluar në Ohër.

Por zoti Kurti i hodhi poshtë këto pohime dhe tha se Perëndimi po dështon të reagojë ndaj shkeljes së marrëveshjes nga pala serbe.

“Dua që Brukseli të luajë rolin e një arbitri që do të fërshëllejë sa herë që të ketë shkelje të marrëveshjes. Pra, ajo që kemi parë në këto dy vjet është se sa herë që Beogradi ka shkelur marrëveshjen, Brukseli nuk ka vepruar, nuk ka reaguar. Ne duhet të kemi Brukselin, i cili i bën trysni Serbisë të respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive, me mirëbesim dhe me vullnet të mirë në zbatimin e saj të plotë”, tha kryeministri Kurti.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar “veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara” në veri, ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të Perëndimit.

Kryeministri Albin Kurti tha se Serbia dëshiron të mbajë urën në Mitrovicë të mbyllur, pasi sipas tij, synon të mbajë gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës.

“Ata duan ta kthejnë (lumin) Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë. Megjithatë, ata kanë gjetur disa partnerë në synimin e tyre edhe në Perëndim, për shkak të shqetësimit dhe frikës së tepërt që kanë disa nga diplomatët perëndimorë se destabilizimi mund të përsëritet”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia po bën gjithçka që të pengojë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

Por, bisedimet 13-vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kanë shënuar përparime të pakta.