Kosova
Kurteshi: Disiplina, efiçienca dhe përgjegjësia, vlerat që unë sjell nga Zvicra
“Disciplina, përgjegjësia, efikasiteti dhe efiçienca në punë janë cilësi që karakterizojnë punën në Zvicër në përgjithësi. Pikërisht kjo është vlera e përvojës që unë sjell nga Zvicra. Këto cilësi i duhen tani, më shumë se kurrë Kosovës”
Në prag të zgjedhjeve lokale që mbahen në Kosovë më 22 tetor, albinfo.ch ka intervistuar disa nga kandidatët e këtyre zgjedhjeve, me “begraund” nga diaspora. Fokusi i këtyre intervistave është vënë në specifikat që i dallojnë kandidatët në fjalë si ish pjesëtarë të mërgatës, gjegjësisht në përvojat që sjellin ata nga vendet ku kanë jetuar.
Sami Kurteshi është kandidat i Lëvizjes “Vetëvendosje” për kryetar të Gjilanit. Si i përndjekur politik, ai ka jetuar një kohë të gjatë në Zvicër, ku ka mbaruar studimet dhe është marrë me aktivitete politike. Pas kthimit për të jetuar në atdhe, ai për disa vite ka mbajtur postin e Avokatit të Popullit në Kosovë. Me përfundimin e mandatit në këtë post, ai i është bashkuar Lëvizjes “Vetëvendosje” ndërsa në zgjedhjet e fundit është zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës.
Albinfo.ch: Keni jetuar një kohë të gjatë në Zvicër. Përse vendosët që të ktheheshit në Kosovë dhe të merreni me politikë atje?
Sami Kurteshi: Unë, në tri faza të ndryshme, përgjatë 35 viteve, në Zvicër kam jetuar mbi 15 vjet. Aty i kam kryer edhe studimet në Universitetin e Bernës dhe të Cyrihut.
Meqenëse unë jam larguar nga Kosova për shkak të përndjekjes nga regjimi serb dhe jugosllav, unë vetëm jam strehuar përkohsisht në Zvicër dhe vendet tjera perëndimore, por qëllimi im ka qenë dhe mbetet Kosova dhe përparimi i saj. Kosova ka nevojë për ndihmën tonë, edhe timen.
Albinfo.ch: Para se të futeshit në garën politike në Kosovë, ju keni pasur një përvojë politike në vendin ku keni jetuar më parë, në Zvicër (në raport me çështjen shqiptare). Çfarë përfiton politika kosovare nga politikanët me përvojë nga jashtë, si rasti juaj?
S.K.: Unë kam një përvojë politike afër 40 vjet, ilegale dhe legale, në Kosovë, në Zvicër dhe gjetiu. Përvoja e punës në Zvicër, sikur angazhimi për Kosovën edhe puna në institucionet zvicerane, ka qenë jashtëzakonisht e dobishme. Disciplina, përgjegjësia, efikasiteti dhe efiçienca në punë janë cilësi që karakterizojnë punën në Zvicër në përgjithësi. Pikërisht kjo është vlera e përvojës që sjell nga Zvicra. Këto cilësi i duhen tani, më shumë se kurrë Kosovës.
Albinfo.ch: Duke qenë se ju në këto zgjedhje po garoni për nivelin lokal, çfarë mund të ofroni në mënyrë më specifike ju si kuadër nga diaspora që do të ju dallonte nga kandidatët tjerë?
S.K.: Ka shumë gjëra. Për mua synim i parë është kyqja e qytetarit dhe qytetares në vendimmarrjen publike; jeta e dinjitetshme e qytetare/ëve në vendin e tyre; krijimi i një ambienti shoqëror, politik dhe ekonomik që motivon qytetarë/et të mos ikin nga vendi i tyre; mbrojtja e ambientit nga ndotja e tokës, ujit dhe ajrit; sigurimi i lëvizjes së lirë në të gjitha vendbanimet, duke siguruar ndriçim publik, infrastrukturë të mirë rrugore, trotoare dhe infrastrukturën e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara dhe me nevoja të veçanta, trafik urban të përballueshëm për të gjitha shtresat shoqërore, me theks të veçantë te grupet e margjinalizuara si të moshuarit, pensionistët, rastet sociale, fëmijët dhe nxënësit e studentët; stabilizimin, revitalizimin e shkollave me laboratore përkatëse, me mjete didaktike dhe kënde leximi e biblioteka, si dhe stabilizimin e orarit të mësimit, duke hequr tërësisht ndërrimin e tretë në shkolla; menaxhimin e duhur të kapaciteteve ekzistuese shëndetësore në komunë, dhe aty ku është e domosdoshme ndërtimin e qendrave të reja të mjekësisë familjare; ndërtimin, së paku dyfishimin e çerdheve dhe institucioneve parashkollore, me synim afatgjatë përfshirjen e të gjitë fëmijëve në këto institucione; sigurimin e shujtave për nxënëset/it e klasave 1-5 në të gjitha shkollat e komunës; transparencë të plotë në shpenzimin e parasë publike, duke bërë publikimin e tyre në kohë të shpejtë dhe në vend publik; qasjen dhe kyqjen e qytetare/ëve në të gjitha vendimet dhe projektet që kanë të bëjnë me vendbanimet dhe interesat e tyre të drejtpërdrejta etj.etj.
Albinfo.ch: Duke jetuar një kohë të gjatë jashtë vendit, në qytetin ku po garoni, mbase ju njohin më pak se që i njohin ata të cilët kanë jetuar gjithë kohën atje. A mund të jetë kjo një hendikep për një kandidat që vjen nga Diaspora?
S.K.: Jo, në asnjë mënyrë. Kjo nuk paraqet ndonjë hendikep. Unë, edhe pse jo pandërprerë, për shkak të angazhimeve të mia politike, vazhdimisht jam kthyer në qytetin tim të lindjes dhe rinisë, në Gjilan. Përndryshe, vendbanimi im i përhershëm ka mbetur Gjilani.
Albinfo.ch: Nëse e konsiderojmë kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin si rivalin tuaj kresor, me çfarë e sfidoni ju atë? Përse votuesi gjilanas do të votonte për ju e jo për të?
S.K.: Unë i konsideroj të gjithë rivalët politikë njëjtë. Lutfi Haziri është njëri prej tyre, me një përparësi ndaj të tjerëve, për shkak të pozitës aktuale Kryetar Komune. Vetëm kaq. Mirëpo, pikërisht për këtë arsye edhe shihet si njëri ndër bartësit kryesor të degradimit urban me pasoja të rënda. Përndryshe, ndjenja, kërkesa, entuziazmi dhe gatishmëria për ndryshim, që domethënë ndalje e degradimit të mëtutjeshëm të jetës së urbane të qytetarëve të komunës, e cila ka ngjarë nga partitë që kanë qeverisur në Gjilan, kryesisht LDK dhe PDK, dhe pjesërisht AAK, është janë në kulm. Qytetarë/et e Gjilanit forcën dhe shpresën e vetme për ndryshim e kanë Lëvizjen Vetëvendosje! Kjo është fitorja.
Albinfo.ch: Na i numëroni 3 probleme kryesore në Gjilan, zgjidhja e të cilave varet nga pushteti lokal e që pushtetarët e deritashëm nuk i kanë zgjidhur? Po ashtu na thuani se cilat janë zgjidhjet që ju i propozoni për ato probleme.
S.K.: Tri problemet kryesore janë: ujërat e zeza dhe ndotja e ambienit; mungesa e trafikut urban dhe degradimi i karakterit urban; degradimi i arsimit dhe i shëndetësisë; mostransparenca dhe korruptimi absurd i institucioneve komunale.
Këto të gjitha janë probleme që janë plotësisht në kompetencat komunale dhe ne jemi të bindur dhe zotohemi që këto të zgjidhen brenda një mandati qeverisës. Këto janë të bëshme dhe të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje!
Albinfo.ch: Çfarë platforme ofroni ju si VV për pushtetin lokal?
S.K.: Me qytetaret/ët, për qytetaret/ët, bashkë është e mundshme!
Albinfo.ch: Zgjedhjet nacionale e nxorën VV si subjektin më të fuqishëm në vend. Rrjedhimisht kjo votë ka ngritur fuqinë e VV edhe nëpër komuna dhe gjithsesi, edhe në Gjilan. Por a mendoni se megjithatë karakteri i votës në nivel nacional ndryshon nga ai në nivel lokal?
S.K. Po. Ky fakt ka ndikim jashtëzakonisht të madh. Po ka edhe dallime të dukshme të natyrës, karakterit dhe mënyrës së votimit. Por një fakt është i pamohueshëm, treni i Lëvizjes Vetëvendosje është vënë në lëvizje, e shpejtësia e këtij treni vetëm sa po rritet. Nga të gjitha hulumtimet e opinionit dhe nga takimet e vazhdueshme me qytetaret/ët e komunës së Gjilanit, vërehet dukshëm një rritje edhe më e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje se sa në zgjedhjet nacionale.
Albinfo.ch: Ekziston një perceptim se VV e ka forcën goditëse shumë të përqendruar në qendër ndërsa në komuna nuk ka shumë kuadro, përveç kur ato dërgohen nga qendra, sikur rasti juaj dhe i z. Topalli (në Ferizaj) tash për zgjedhje. Si i përgjigjeni ju këtij perceptimi?
S.K.: Perceptimi është kategori mendore relative. Lëvizja Vetëvendosje ka forcë goditëse në të gjithë Kosovën. Ne jemi partia e vetme politike me shtrirje në tërë territorin e Kosovës, pa ndonjë dallim të madh. Kuadrot e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë kuadro të Qendrës, por në fillim dhe së pari janë aktivistë të Pikës, aty ku e kanë bazën, sikur që unë e kam në Gjilan, në lagjen “Reshat Ymeri I”. Angazhimi në “Qendër” ka të bëjë me përgatitjen, afinitetet, dhe nevojat profesionale të aktivistit, Lëvizjes, me synim në përmirësimin e jetës së qytetarit/es.
Albinfo.ch: Për fund: në rast se nuk e fitoni shumicën në raundin e parë, me cilin kandidat/parti mendoni se do të jeni në balotazh?
S.K.: Nuk e di, sepse ne do të fitojmë që në raundin e parë. Kushdo që të jetë rivali eventual në raundin e dytë, humbjen e ka të sigurtë që tani. Lëvizja Vetëvendosje! Është fituese e zgjedhjeve pa diskutim!
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur