Muzikë
“Kur të vijë shansi, përqafoje fort dhe kape me 10 gishta”
Pianisti Leutrim Aliji shkëlqen fuqishëm në skenën prestigjioze të muzikës klasike në Zvicër. Një intervistë për dashurinë e klasikes, për notat, artin, punën e palodhshme dhe triumfin
“Në matematikë duhet ta nxjerrësh rezultatin e saktë, ndoshta ka dy ose tri mënyra por rezultati sërish është i njëjtë. Mirëpo, në muzikë luaja me të njëjtat nota, por asnjëherë nuk tingëllonte njëjtë”.
Kur për herë të parë u “takuat” me instrumentin e pianos?
Kontakti im i parë me instrumentin ka qenë kur isha 6 ose 7 vjeç. Kujtoj që nëna ime ka pasur provimin e muzikës në Shkup, ajo ka mbaruar për Pedagogji. Dhe gjatë kohës që përgatitej për provimin, pianon e kam parë si një lodër, jo si ndonjë instrument që do e studioja një ditë dhe të investoja shumë kohë. Thjesht, më është dukur si një lojë. Në fillim kam luajtur shumë këngë të lehta, natyrisht nëna më mësoi notat se ku janë, e unë sapo kisha mësuar shkronjat.
Kur realisht lindi dashuria për muzikën klasike?
Vij nga një familje muzikantësh. Zakonisht fundjavave mblidheshim te daja, ku këndoheshin këngë të vjetra shqipe, deri në netët e vona. U rrita me frymën e muzikës së mirëfilltë shqiptare. Fillova t’i gjej meloditë dhe i luaja në sentisajzer, më ndihmonte edhe daja. Mbrëmjeve mblidheshim familjarisht dhe bënim muzikë, vëllai, djali i tezes, unë. Por, me moshën që kishim organizoheshim vet dhe bënim muzikë. Unë isha në 9 vjeç, djali i tezes 11 vjeç, vëllai, 7 ose 8 vjeç. Merrnim instrumentet nga një bend që e kishim fqinj. Bënim shumë muzikë, p.sh. Stingut ja luajtëm të gjitha këngët. Kujtoj se për disa vite luaja mbi 100 këngë, disa ishin këngë për fëmijë, disa ishin anglisht. Por, njëkohësisht fillova të kem kontakt me muzikën klasike, fillimisht nga televizioni, pasi edhe prej kasetofonave. Kisha një kasetë nga Mozarti dhe dëgjoja “Allaturkën”, shkruaja not pas note, por i kam shkruar me shkronja, sepse nuk i kam ditur t’i shkruaj notat. Gjashtë muaj punë intensive për një fëmijë 7 ose 8 vjeçare mësova të gjithë “Allaturkën”. Pasi mbarova shkollën fillore duhej të zgjidhja a të shkoj në gjimnaz apo ekonomi. Babi kishte shumë dëshirë të merrem me shkencat ekzakte, më shkonte shumë matematika, madje kam shkuar edhe nëpër gara shtetërore. Në matematikë duhet ta nxjerrësh rezultatin e saktë, ndoshta ka dy ose tri mënyra por rezultati sërish është i njëjtë. Mirëpo, në muzikë luaja me të njëjtat nota, por asnjëherë nuk tingëllonte njëjtë. Ndonjëherë, më shpejtë, ndonjëherë më ngadalë, ndonjëherë më shpejtë, ndonjëherë më qetë apo më ashpër. Kjo ishte ajo që më shtynte të luftoj akoma më shumë vetveten dhe gjithmonë kërkoja më shumë e më shumë. Ishte pak rëndë për prindërit por unë isha i vendosur se do të shkoja në shkollë të muzikës. Kam qenë në klasën e pestë kur e kam ditur se çfarë do të studioj. Por, isha aq i bindur, aq i vendosur dhe prindërit në fund ranë dakord. Duhej të jepja një provim pranues, për të cilin më ka ndihmuar shumë profesori i ndjerë Enver Stafa.
Kur për herë të parë ke mësuar një partiturë?
Nuk e di sa është mirë ta tregoj, por kam “vjedhur” partitura. Ishim mysafirë te një fqinjë që ka dashur të studiojë muzikën, kishte shtëpinë përplot partitura dhe, vetëm sa e pashë “Mozart”, e mora. Pikërisht atë vepër e luajta në provimin pranues. Ashtu filloi shkolla ime e mesme e muzikës. Pianon e kisha shumë për zemër, isha shumë aktiv me mësime. Pastaj kisha rastin të dëgjoja një pianist nga Tetova, Shkëlzen Baftiari, i cili kishte studiuar me Romanovin. Më tha: “Leo nëse dëshiron të mësosh pianon mirë duhet ta gjesh çiftin Romanov”. I takova në “Ohrit Summer Fest”, aty mbanin një masterklas. E dija se isha i përgatitur, por jo mjaftueshëm, por njeriu e provon fatin. Leksionet e para deri në fillimin e fakultetit i mora nga bashkëshortja e profesor Romanovit. Në orën e fundit, ajo propozoi që edhe profesor Romanovi ta dëgjonte veprën që do ta luaja unë. Kisha shumë emocion. Kisha dëgjuar shumë për të, që është rigoroz, i përpiktë. Para tij luajta “Rahmaninov” moment muzikor nr.4 është shumë e vështirë. E luajta nga fillimi në fund dhe pasi mbarova, profesori më tha: “Ky ishte një moment, por nuk kishte të bëjë me muzikën”. Për mua një “flakareshkë” por më dha edhe disa pika ku duhet të fokusohesha, 10 faqe nota, në çdo faqe kisha ndonjë element që duhej ta përmirësoja. “Më tha vetëm 4 orë të dalësh në koncert, unë do të vij gjysmë ore para koncertit dhe të luash të gjitha këto nota me korrigjime”. Pasi më dëgjoi, tha që mund të luaja në koncert. Ky ishte momenti kur unë e pyeta profesorin se a mund të studioj në klasën tuaj. Për mua ishte e qartë nëse nuk studioja me Romanovët, nuk ja vlente ta humbisja kohën. Respekt edhe për profesorët e tjerë në Shkup, por unë isha i bindur se vetëm me atë mund ta mësoj “zanatin” si duhet. Meqë ai ishte para pensionimit, më pat thënë ”Nëse jam në Shkup të vish te klasa ime”. Isha njeriu më i lumtur në botë. Sepse e dija se vetëm me të mund ta mësoja pianon siç duhet.
Mendoni se keni pasur shumë fat?! Gjërat e vogla që kanë bërë kthesën e madhe. Sakrifica, përkushtimi që ka shënuar karrierën tuaj?!
Fat, por edhe i kam vrapuar pas fatit. Komunikoj shumë dhe gjithmonë kam kërkuar informacione lidhur me atë që do të bëja, pra të mos jesh i humbur në hapësirë. Me Dino Imerin kemi patur kontakte të shpeshta, kuptohet edhe Simon Tërpçeskin. Me Romanovët kam studiuar 4 vite në fakultet, 2 vite mastër plus një vit parapërgatitje për në Zvicër. Përveç studimeve çdo të diele kisha orë private, kur të gjithë flinin, unë isha te ato vijat e bardha te “Partizanska” asnjë veturë, shkoja në orë te Ludmilla Romanova. Familja më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë, se këto orë kishin edhe kosto financiare. Kur të gjithë argëtoheshin, pushonin unë duhej të studioja. Në atë kohë kam luajtur edhe me bendin “XXL”, ndodhte që të shtunave luanim në Ohër, e mua më duhej në ora 8 të jem në Shkup. Kisha nevojë të mësoj teknikën. Patjetër që imagjinata, fantazia janë pjesë e pandashme e interpretimit, tashmë kishim edhe këngëtaren Elitën, vajzën e Arifit nga “Elita 5”, bëmë një këngë dhe shkuam konkurruam në “Topfest 7”, ku edhe morëm çmimin “Artistët më të mirë të rinj”. Madje në prapaskenë edhe grupi “Troja” këndonte këngën tonë. Pra që si adoleshentë kemi patur shansin të njihemi me shumë artistë. Por edhe të performojmë para publikut me mijëra spektatorë. Shkollën e Muzikës “Luji” mandej me punë u transferova në Tetovë.
Pse zgjodhët pikërisht Zvicrën, për tu përsosur profesionalisht?
Me Edonën, bashkëshorten time që ka mbaruar për Kanto, në një Qendër tregtare takuam ish profesoreshën time e cila kishte studiuar në Cyrih. Më tha “Leo, çfarë bën këtu?- Ja, kemi dalë të pimë një kafe, “Jo, jo çfarë bën në Maqedoni ende, ti nuk duhet të rrish këtu!As që e mendoja të largohem sepse isha mirë me vend pune, me të gjitha. Jam shumë i lidhur me familjen. Mirëpo, kapëm momentin, shkruam vetëm një mejl dhe kishim afirmim. Këtu sërish ndihma e Romaniovit ishte e pakursyer, të gjitha parapërgatitjet për të konkurruar në Cyrih i bëra me të. Pasi më dëgjoi profesori David Torner më tha “i paske duart për piano”, a mund të vish në prill? Ashtu edhe u bë, gjeta një punë përkohësisht, 2 sezone verore kam shitur akullore. Ndërkohë punoja edhe si asistent i profesorit në MTGA ( Musik Dramatischen Grund Ausbildung). Puna ime ishte që të kisha sa më shumë kreativitet dhe tu jepja sa më shumë frymë pozitive veprave artistike të Dramës. Kur i ftojnë artistët në Zvicër nuk diskutohet çmimi, diskutohet vetëm data. Kam qenë shumë me fat që artistët më të njohur botëror t’i shoh e dëgjoj drejtpërsëdrejti, të bisedoj.
Si filloi bashkëpunimi me bendin “Chip &Hira?
Sigurisht më mungonte shumë bendi im “XXL”, kështu që takova Kristianin dhe Shqipen, bendin “Chip&Hira” . Ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Këtu e kisha më të balancuar, kisha kohë për muzikën klasike por edhe për bendin.
Si vazhduan lidhjet tuaja profesionale me vendlindjen ?
Romanovi u pensionua dhe në atë kohë në Maqedoni mungonin masterklaset e tij, unë e ndjeva si nevojë që në vendin tim të dërgoj një profesor prej këtu që të vazhdonte ai proces i edukimit. Pyeta profesorin tim Karlos Andreas, i cili e priti me shumë entuziazëm. Ishte në vitin 2019. Gjërat nuk shkuan siç duhet. Të dëgjosh profesorin në Zvicër kushton jashtëzakonisht shumë, në Maqedoni shkoi në një debutim falas, dhe pjesëmarrja la shumë për të dëshiruar. Ndërkohë projektet në Zvicër dita ditës ishin me intensitet shumë të lartë. Së bashku me kolegen time dhe dekanin e fakultetit, edhe regjisorja nga Hamburgu. Kishim pesë koncerte me këtë operë, duhej të vazhdonim por filloi pandemia. “The Medium” Gian Carlo Menoti. Kur përfundova me masterin e parë këtu në Zvicër doja të kthehem, profesori më sugjeroi të bëj edhe një master për pedagogji. Dhe kështu u bënë 2 mastera këtu dhe një në Maqedoni. Kjo ishte një përvojë, nuk e di si ta them. Në Maqedoni ndoshta edhe dhjetë jetë t’i kisha jetuar, nuk do t’i përjetoja.
Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi juaj deri në Zvicër?
Unë në Zvicër kam ardhur, vetëm të shoh se çfarë diferencash kemi në të mësuarit, ka qenë vetëm një provë se si duhet unë ende të rritem profesionalisht, ku duhet më shumë të fokusohem e kështu me radhë. Thjesht, ka qenë, e bëj një provë në Zvicër nëse më pranojnë në fakultet mirë, nëse jo, kthehem.
“E vetmja gjë më e jashtëzakonshme është personi pas saj/tij”, kush qëndron pas muzikës së Leutrim Alijit?
Mbështetjen kryesore e kam pasur nga prindërit, familja dhe Edona, bashkëshortja ime. E cila më ka shtyrë që të vij në Zvicër, pasi ka ardhur këtu sigurisht ka qenë ndihma ime më e madhe në të gjitha aspektet.
Sa ishte e lehtë, të mos them e vështirë për ty, një djalë nga Maqedonia e Veriut të vinte në një universitet zviceran, që besoj dallon në ofertë dhe cilësi?
Nuk ka qenë fare e lehtë, por në një farë mënyre nuk ka qenë edhe e vështirë, ne jemi njerëz, sikurse të gjithë njerëzit e tjerë me dy sy, me dy veshë dhe me 10 gishta. Nuk është e lehtë të vish prej një vendi në fakt, ku gjendet kultura e Zvicrës. Çfarë ndodhin këtu, risitë eksperimentet, pastaj përhapen nëpër Evropë dhe nëpër botë. Kështu që këtu i kisha ato kontaktet e dorës së parë, dhe unë ballafaqohesha me këtë. Kjo nuk ishte e lehtë, kisha shumë pikëpyetje, pse, ku, si. Ndërsa, sa i përket pianos është thjesht punë. Informacionet e cilësisë së lartë i kisha edhe në Maqedoni, prej profesorëve. Pastaj këtu vetëm vazhdova t’i zhvilloja ato impute që i merrja. Nuk është e thjeshtë të studiosh, duhet shumë mund dhe përkushtim
Ka sa kohë që gëzon edhe statusin e pedagogut universitar Kantonin e Cyrihut, gjithashtu edhe në Maqedoni ke patur një përvojë të tillë, a mund të na bëni një krahasim?
Fëmijët janë të gjithë njëjtë, natyrisht duhet t`ua gjesh karakterin, energjinë që ata e rrezatojnë dhe pastaj duhet të punosh me ta. Duhet tu tregosh se si funksionon pianoja, se si duhet të tingëllojë, ka shumë punë. Sa iu përket niveleve, fëmijët janë fëmijë.
100.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut jetojnë në Zvicër, të cilët kanë nevojë për identifikimin e mirëfilltë kulturor. Çfarë mendon, si mund të përmbushet ky “boshllëk” kulturor?
Mendoj se secili popull duhet ta kultivojë folklorin e vet, dhe gjërat duhet të shkruhen. Edhe çiftelia si instrument duhet të dokumentohet, të shkruhet, sepse mund të vijë një moment ku gjërat harrohen. Nëse i kemi të shkruara mundet gjithmonë t’i përsërisim dhe t`ua japim gjeneratave të ardhshme. Folklori është folklor dhe ne jemi ata që përfaqësojmë atë folklor, pa marrë parasysh a është i mirë, i keq, është mesatar, shumë i zhvilluar. Folklori duhet të jetë profesional, jo të jetë sipërfaqësor, sa për ta bërë. Ka shumë instrumentistë të mirë të muzikës folklorike. Kam dëgjuar njerëz që vërtetë luajnë bukur me çifteli, por unë gjithmonë i frikësohem se nëse gjërat nuk shkruhen mund të harrohen.
Mozarti: “Nuk janë notat po heshtja e tyre?
Mozarti mendon për pauzat që vijnë pas notave, sepse edhe ato janë pjesë e muzikës, duhet edhe ato të dish si t’i ndjesh dhe si t’i luash.
Planet me angazhimet tuaj në këtë shkollë, ndoshta edhe në Maqedoni me ndonjë koncert klasik?
Me përgatitjet e koncertit kam filluar që tani edhe pse zakonisht përgatitjet bëhen tre ose katër muaj më herët, unë kam filluar një vit para. Në nëntor planifikojmë të kem një koncert recital të muzikës klasike në Zvicër, po ku i dihet ndoshta vij luaj edhe në Maqedoni. Sigurisht që do të jetë i ftuar i gjithë komuniteti shqiptar në Zvicër.
Faleminderit shumë Leutrim për këtë intervistë ku sërish konfirmojmë se suksesi asnjëherë nuk është rastësi!
Intervistën e realizoi: Luljeta Ademi, Fotot: Rromir Imami
.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriLeutrim Aliji
- Prejardhja:Shkup - Maqedoni e Veriut
- Vendi ku vepron:Zvicër
- Profesioni:Pianist
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?