Lajme

Kur ndalet ufma e kur shpëtojmë nga pluhuri saharian: Çka thonë nga Instituti i motit

Kosova prej javësh po përballet me të nxehtin afrikan, i cili si duket do të marrë fund gjatë kësaj jave. Gjithsesi, qershori dhe korriku i këtij viti regjistroi temperatura për tri gradë më të larta se sa të njëjtët muaj në vitet paraprake.

Gjatë kësaj kohe temperaturat më të larta kanë qenë në qytetin e Gjakovës me 38.9 gradë celsius, me këtë ritëm të nxehtësisë ka qenë edhe Kamenica me 38.4 gradë celsius, ndërsa qytetet e tjera kanë vijuar me 37 deri 38 gradë celsius.

Këtë e bëri të ditur meteorologu në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu, i cili tha se sot (e hënë) janë temperaturat më të larta për këtë muaj me rreth 36-37 gradë celsius, ndërsa në ditët vijuese gjatë ditës së enjte dhe të premte do të ketë reshje të lehta të shiut.

Ku përveç kësaj do të ketë edhe erëra të fuqishme që do të arrijnë më shpejtësinë 10-15 metra për sekondë, pra që nënkupton se temperaturat në ditët vijuese do të ulen.

Aliu shtoi se temperaturat e nxehta kanë filluar qysh nga 21 qershori dhe qershori vlerësohet se ka qenë qershori më i nxehtë në vend, por duke mos lënë anash as muajin korrik, pasi që duke e bërë krahasimin me vitet e tjera, termometri regjistroi për 2 deri në 3 gradë temperatura më të larta. Duke mos lënë anash as vitet e tjera, Aliu tregoi se në vitin 2007 temperaturat më të larta kanë qenë 30.7 gradë.

Aliu shpjegoi edhe situatën e pluhurit saharian që ka ndikuar në cilësinë e ajrit, e i cili do të jetë prezent edhe gjatë kësaj jave, por pasi që do të ketë reshje të shiut, pluhuri do të largohet dhe ajri do të jetë më i pastër.

“Pluhuri saharian është prezent edhe tani dhe do të jetë edhe gjatë javës, por që nuk do të ndikojë diçka në shëndet, por pasi që kemi reshje pluhuri, bashkë me reshje ai do të bie dhe do të jetë pastaj edhe ajri më i pastër dhe mund të ndikojë pak në cilësinë e ajrit, por që pluhuri saharian vjen sigurisht me erëra, vranësira dhe kur të kemi reshje shiu ato veçse bien së bashku me reshjet në tokë”, shtoi ai.

Aliu apeloi qytetarët tha se nuk duhet të jemi në kontakt me diellin nga ora 10 e mëngjesit deri në 17:00 të pasdites, dhe të veshim rroba të cilat kanë ngjyrë më të hapur. Po ashtu, ai kërkoi se gjatë këtij moti të nxehtë mos të ndezin hamulloret, sepse ndikon shumë në cilësinë ë ajrit dhe në ngritjen e temperaturës dhe rrezikon përhapjen e zjarreve.