Të mbyllura për dimër, kalimet në Alpet zvicerane janë planifikuar të rihapen për trafikun e makinave brenda javëve të ardhshme, nëse moti e lejon.
Mbyllja dimërore në Oberalp, e vendosur në lartësinë 2,044 metra, është planifikuar të hiqet në fund të prillit, duke lejuar automjetet të udhëtojnë midis Graubünden dhe Uri.
Hapja e kalimeve të tjera alpine me lartësi të madhe është si më poshtë:
-
Kalimi Gotthard (2,106 metra), midis Uri dhe Ticino: mesi i majit.
-
Kalimi Klausen, i vendosur në 1,948 metra: do të rihapet gjithashtu në mesin e majit, për udhëtimin midis Uri dhe Glaris.
-
Qafa Furka (2,429 metra), që lidh Uri me Valais: fundi i majit.
-
Kalimi Susten (2,260 metra), midis Uri dhe Bernës: do të rihapet deri në fund të qershorit.
Në përgatitje për rihapjet, janë duke u zhvilluar punimet për pastrimin e borës, vendosjen e kangjellave dhe parmakëve, si dhe pastrimin e shkëmbinjve aty ku është e nevojshme, shkruan The Local.
A janë të mbyllura të gjitha rrugët malore në Zvicër gjatë dimrit?
Jo, vetëm ato ku rreziku i ortekëve, si dhe kushtet veçanërisht të vështira të borës dhe akullit, i bëjnë këto rrugë të pasigurta. Zakonisht mbyllen në nëntor, me reshjet e para të borës.
Kalimet e tjera, si Simplon midis Valais dhe Italisë, Flüela në Graubünden, Julier, gjithashtu në Graubünden, dhe Brünig, që lidh Bernën me Obwalden, janë ndër ato që mbeten të hapura gjatë gjithë vitit, transmeton albinfo.ch.
Në dimër, megjithatë, gomat e borës dhe, në disa raste, zinxhirët janë të detyrueshme për të gjitha automjetet. Gjithashtu, kushtet veçanërisht të rrezikshme dimërore mund të shkaktojnë mbyllje të përkohshme të këtyre rrugëve.