Lajme

Kur mund të aplikojë Kosova për pranim në organizata ndërkombëtare?

Nga shtatori Kosova është e lirë të procedojë me kërkesat për pranim në organizata ndërkombëtare, aty ku vlerëson se është në interes për shtetin.

Kështu thotë drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Sabri Kiçmari, i cili shton se megjithatë veprime të tilla duhet të ndërmerren në pajtim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të Kosovës që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Në një intervistë për KosovaPress, ish-ambasadori Kiçmari flet për sfidat e Kosovës në politikën e jashtme dhe prioritet që ai ka derisa drejton Akademinë.

Me marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ishte pajtuar që për një vit të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ky zotim ishte bërë në këmbim që Serbia të ndalë fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës nga shtete të ndryshme.

Diplomati Sabri Kiçmari thotë se me të përfunduar afati i saj në shtator të këtij viti, Kosova mund të fillojë me procedim për anëtarësim aty ku vlerëson se është në interes të shtetit.

“Unë personalisht mendoj që nga shtatori Republika e Kosovës është krejtësisht e lirë në rrafshin ndërkombëtar që të procedojë me pranim në organizata ndërkombëtare në cilindo nivel që vlerëson se është me interes, por është mendim personal, ndërsa për qëndrimet zyrtare sigurisht që kompetenca kanë përfaqësuesit që janë të veshur institucionalisht me të drejtën e vendimmarrjes… Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje duhet të dakordohen plotësisht me miqtë tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, dhe jam i sigurt që edhe ministrja, edhe kryeministri, në komunikimet e tyre zyrtare që kanë me përfaqësuesit e SHBA-së dhe vendeve mike të Bashkimit Evropian, do të numërojnë argumentet e mjaftueshme për rëndësinë që ka pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thotë Kiçmari.

Me të marrë detyrën në krye të Ministrisë së Jashtme, Donika Gërvalla kishte shkarkuar 12 ambasadorë, të emëruar politik, kthimi i të cilëve ka thënë se do të bëhet deri më 30 gusht të këtij viti.

Kiçmari thotë që ambasadorët e rinj duhet të emërohen sipas ligjit, i cili parasheh 50% e tyre të jenë të karrierës, ndërsa 50% të tjerë të emëruar politik.

Kryetari i Akademisë Diplomatike të Kosovës thotë se ky institucion do të ketë programe trajnimi për ambasadorët e rinj që do të emërohen, me qëllim të përgatitjes së tyre për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Duke folur për pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ish-ambasadori Kiçmari thotë se vendi nuk qëndron dobët dhe pavarësisht reagimit të ashpër nga Serbia, Kosova ka arritur të sigurojë njohje dhe anëtarësim në organizata të rëndësishme.

“Nëse më pyesni a ka pasur mundësi të bëhet më shumë, pa dilemë që po, në këtë kontekst mund të thuhet, por nuk është që statusi i Kosovës është, le të themi, tepër i ulët në marrëdhëniet ndërkombëtare… Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara nuk është parakusht i shtetësisë, Kosova mund të zhvillohet si shtet, me dinjitet shtetëror dhe mund të ketë statusin e saj me nivel në marrëdhëniet ndërkombëtare edhe pa qenë anëtar në Kombet e Bashkuara, pasi që anëtarësia nga Kombet e Bashkuara nuk varet nga Kosova, për fat të keq, nuk varet as nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë prej shteteve më mbështetëse të Republikës së Kosovës por edhe nga Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, që janë shtete që e mbështesin shtetësinë tonë, por po them këto dy vende, Rusia dhe Kina, kanë të drejtën e vetos, ato e bllokojnë anëtarësimin, por ky nuk është parakusht për shtetësinë e Kosovës”, thotë ai.

Diplomati Kiçmari thotë se përpjekjet e Serbisë për të penguar ecjen përpara të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë, por sipas tij, Kosova e ka të sigurt vendin në grupin e shteteve demokratike dhe duhet të sillet si shtet i përgjegjshëm.

“Do të jetë një betejë e ashpër pa dilemë në mes nesh dhe Serbisë, ne për etablimin e statusit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare si shtet, dhe për Serbinë për të penguar etablimin e Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në organizata ndërkombëtare, në njohje. Pritjet e mija janë që kjo betejë diplomatike do të vazhdojë, jemi të destinuar si shtet të vazhdojmë këtë betejë në të cilën ne jemi në anën e së drejtës, një popull që ka vendosur në vitin 2008 përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur të shpallë Pavarësinë dhe ka mbështetjen mbi 95% të popullit e ka mbështetjen e plotë për të qenë shtet i pavarur dhe sovran, nuk mund ta pengojë njeri, andaj as Serbia nuk mund ta pengojë këtë gjë”, thotë Kiçmari.

Derisa flet për rolin e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Kiçmari thotë se ky institucion në vazhdimësi do të përgatisë analiza, të cilat do t’ia ofrojnë ministres së Jashtme dhe Zyrës së Kryeministrit, lidhur me veprime të caktuara që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe diplomacinë.

“Ajo çka po mundohem, le të themi si inovacion ta sjell në Akademi është vazhdimi dhe shtimi i intensitetit të trajnimeve, dhe në këtë kontekst edhe tematikisht orientimi në tema të veçanta, siç është diplomacia publike, trajnime të veçanta për diplomaci publike, diplomacia ekonomike, diplomacia kulturore, një fokusim do të ndodhë, ende jemi në planifikim e sipër, do të ndodhë shpejt një gjë e tillë dhe trajnimi i përfaqësuesve të shtetit me rastin e emërimit, ta zëmë në rast se do të ketë të emëruar politikë si ambasadorë, siç e përmendet ju, sigurisht që diplomacia do të jetë në trajnimin e tyre profesional para se të shkojnë në mision”, thotë ai.

Ai bën të ditur se akademia do të organizojë dy konferenca shkencore në vit, në të cilat do të ftojë studiues e shkencëtarë lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë. Një e tillë është mbajtur këtë javë në Prishtinë, me temën “Politika e jashtme e Kosovës – një qasje proaktive“.