Gjuha
Kur arbëreshët e Kalabrisë i këndojnë Kosovës në Zvicër
Javën që shkoi, grupi “Vëllezërit arbëreshë” nga Frasnita e Kalabrisë ka zhvilluar një turne në Zvicër që përkonte me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Turneu u koordinua nga artistja shqiptare që jeton në Gjenevë, Mimoza Nazarko
Mbi pesë shekuj në dhe të huaj dhe sërish rrënjët e tyre nuk janë tretur. Sytë e tyre kanë mbetur të drejtuar matanë detit, duke shikuar me mall Arbërinë e tyre. Janë pra arbëreshët e Italisë ata që mbajtën të gjallë frymën e Arbërisë deri në ditët e sotme, kur këtë frymë, me një entuziazëm shembullor e përcjellin gjithandej ku jetojnë shqiptarët.
Javën që shkoi, grupi “Vëllezërit arbëreshë” nga Frasnita e Kalabrisë me nëntë këngëtarë dhe instrumentistë në përbërjen e tij, ka zhvilluar një turne të suksesshëm në Zvicër. “Vëllezërit…” kanë shfaqur koncerte para një diaspore shumë më të re në moshë, diasporës shqiptare të Zvicrës, duke përçuar fuqishëm mesazhin se “Rrënjët nuk humben, ato kultivohen”, siç u mbiquajt koncerti i parë, ai i zhvilluar më 16 shkurt në Fribourg. Bëhet fjalë për një aktivitet që u mbajt për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan albinfo.ch. Ky koncert u mbështet dhe u organizua nga Komuniteti shqiptar i Friburgut me koordinatore zonjën Mimoza Nazarko.
Koncerti në Friburg, një festë e vërtetë
Pra grupi “Vëllezërit Arbëreshë në bashkëpunim me artisten Mimoza Nazarko, këngëtare lirike dhe Trion instrumentale ku bënin pjesë: Gjon Guralumi, pianist, Edmond Basha, violinist dhe Dori Sota, flautiste e shndërruan koncertin e 16 shkurtit në Fribourg në një festë të vërtetë, me një mesazh tepër të fuqishem, ku spikat ndjeshëm dashuria që arbëreshët kanë për atdheun e të parëve, krenaria për gjuhën, kulturën dhe zakonet arbëreshe dhe për siç i thonë ata “gjakun e shprishur”. Është hera e katërt që “Vëllezërit arbëreshë” me president Michele Greco vinë me koncerte në Zvicër e në Francë dhe njëherësh ky ishte bashkëpunimi i katërt i tyre me Znj.Nazarko.
“Ky bashkëpunim është shembull i gjallë që shprehet me dy tregues paralelë, ku, ashtu si paraardhësit e tyre, Arbëreshët, që për më shumë se 500 vjet ruajtën gjuhën e tyre po ashtu edhe artistët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, bëjnë të pamundurën e me shumë devotshmëri për të realizuar të njëjtën gjë sikur vëllezërit e tyre, duke mbajtur gjallë kulturën shqiptare e duke e shpërndarë atë tek brezat që po rriten në Zvicër”, shprehet për albinfo.ch koordinatorja e programit, Mimoza Nazarko.
Pjesëmarrja në këtë koncert ishte masive e salla ishte e mbushur me shqiptarë e të huaj e me spektatorë qe kishin ardhur nga disa vende të Europës. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve të Qeverisë së Friburgut, si të Zyrës së Migracionit ne Fribourg. Me këtë rast njëri nga përfaqësuesit e zyrës në fjalë mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
Emocionet ishin të papërshkrueshme e mesazhi kaloi fuqishëm te publiku i pranishëm. “Të ruash gjuhën, kulturën, traditat, është shërbimi më i mirë që mund t`i bëhet të ardhmes së sigurt të shqiptarëve, si në shtetet amë por mbi të gjitha për shqiptarët në diasporë, për të mbajtur fort rrënjët e për t`i njohur ato”.
Arbëreshët këndojnë “Xhamadanin”
U shfaq një program shumë i pasur me këngë nga tradita arbëreshe të interpretuara me përkushtim dhe nivel të lartë artistik nga grupi ku spikasnin sidomos dy sopranot: Maria Cristina Imbrogno dhe Emiliana Oriolo me zërin e tyre të shkolluar. Por ajo që la mbresa të pashlyera te publiku i shumtë në numër ishte interpretimi mjaft kompetent nga ky grup edhe i këngëve të popullarizuara ndër shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë. Me këto këngë si “Shqipëri oj Nana ime”, “Xhamadani” dhe me klasiket si “Moj e bukura More” e të tjera, grupi u shkri në një me publikun e entuziazmuar në sallë, i cili shpërbleu artistët me duartrokitje të gjata e frenetike.
Perlat nga tradita e këngës shqiptare elektrizojnë atmosferën
Po kështu nivel të lartë dhe përkushtim kanë treguar edhe grupi ku Mimoza Nazarko ishte soliste vokale ndërsa Gjon Guralumi, pianist, Edmond Basha, violinist dhe Dori Sota, flautiste. Me një tufë këngësh perla nga traditat më të bukura shqiptare të gjitha trevave, dhe që bartnin frymën e ditës që po shënohej, këngëtarja Nazarko ka elektrizuar disa herë atmosferën në sallë. Sigurisht, merita të mëdha për këtë arritje i takojnë edhe trios dhe sidomos maestros Guralumi, i cili edhe njëherë dëshmoi virtuozitetin dhe klasin e tij në interpretim në piano dhe fizarmonikë.
Më 17 Shkurt, ansambli “Vëllezërit Arbëreshë” dhe Znj.Nazarko me grupin e saj ishin të ftuar në Gjenevë, në Misionin Diplomatik Shqiptar pranë OKB-së ku u pritën nga Znj.Ravesa Lleshi. Kjo e fundit, për gjithë aktivitetin 30 vjeçar të Grupit “Vëllezërit Arbëreshë” nga Frasnita e Kalabrisë i dorëzoi një mirënjohje presidentit të grupit, Z.Michele Greco me motivacionin “Për punë të palodhur në ruajten, zhvillimin dhe kërkimin e vazhdueshëm të kulturës e gjuhës arbëreshe”. Edhe këtu grupi interpretoi këngë nga bagazhi i pasur i melosit arbëresh.
Dy grupet, në mbrëmjen e 17 shkurtit ishin mysafire në aktivitetin që për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës kishte organizuar Universiteti Popullor shqiptar i Gjenevës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Z.Ilir Gjoni, Znj.Ravesa Lleshi, Ambasadore e Shqipërisë pranë OKB-së, në Gjenevë, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjeneve Z.Ramadan Avdiu, Ueli Leuenberger, themelues i UPSH në Gjenevë dhe Parlamentari zviceran, Carlo Sommaruga.
Të gjithë këto personalitete morën fjalën e dhanë mesazhet e tyre duke u uruar të pranishmëve Gëzuar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Znj. Albana Krasniqi në emër të UPSH i dorëzoi Grupit “Vëllezërit Arbëreshë” një mirënjohje përmes së cilës falenderohet ky grup për kontributin e palodhur që jep në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe.
Ambasadori Gjoni: “Arbëreshët, shembull i shkëlqyer për fëmijët shqiptarë që po rriten në Zvicër”
Artistët e të dy grupeve performuan në skenë, duke ngjallur emocione te publiku në sallë. Njerëzit qanin nga malli për arbëreshët dhe dashurinë e pakufishme që ata e përcjellin me shumë pathos e emocion tek spektatorët.
Më pas, të dy grupet u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, Z. Ramadan Avdiu në ambientet e kësaj konsullate. Në këtë pritje u bisedua për shumë tema e problematika aktuale si për ne, shqiptarët e diasporës ashtu edhe për arbëreshët e Kalabrisë ndërsa nuk munguan edhe dhuratat simbolike për “Vëllezërit Arbëreshë” nga konsulli i Kosovës.
Në ditën e tretë dhe të fundit të turneut, më 18 shkurt aktiviteti u shpërngul në Bernë, në Ambasadën Shqiptare ku artistët u pritën nga Ambasadori Ilir Gjoni. Me këtë rast ky grup u nderua me mirënjohje nga Zoti Gjoni, i cili mes tjerash tha: “Ju Arbëreshët jeni një shembull i shkëlqyer edhe për fëmijët shqiptarë që po rriten në Zvicër duke parë qe interesimi për të mësuar gjuhën shqipe ka ndjerë luhatje në rënie e ju me gjithë këtë dashuri e përkushtim për gjuhën, i shërbeni jo vetëm vetes por edhe ne, për të kryer misionin tonë me brezin e ardhshëm për të trashëguar gjuhën, traditat e zakonet shqiptare”.
Të ngjashme
Të tjera nga Gjuha
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?