E-Diaspora
Kundër reperëve antisemitë në Festivalin Shqiptar: “Jo në emrin e shqiptarëve”
Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Bernë kundërshtojnë kategorikisht pjesëmarrjen e reperëve antisemitë në festivalin që quhet "shqiptar", që mbahet në Schaffhausen të Zvicrës
Festivali shqiptar ose zyrtarisht “Albanian Festival” mbahet më 5 dhe 6 maj 2018 në Schaffhausen. Por ai, rreth tri javë para mbajtjes është bërë tashmë një temë dite në mediet zvicerane dhe gjermane. Kështu ka ndodhur, mjerisht, jo për vlerat e pritshme që ai do t`i prezantojë por për shkak të një skandali politik të paralajmëruar. Në këtë festival pritet të vijnë dy këngëtarë të rapit nga Gjermania, të cilët pikërisht ditëve të fundit kanë qenë në fokus të kritikave të ashpra të opinionit gjerman. Fjala është për reperët “Kollegah” dhe “Farid Bang ”, të cilët me një këngë të tyre kanë vënë në lojë në mënyrë të vrazhdë viktimat e holokaustit. Konkretisht në këngën “0815” të albumit të tyre, reperët flasin për trupat e tyre se janë “më të definuar se ata të të burgosurve në Aushvic”, ndërsa në një tekst tjetër këndojnë, “unë po bëj një holokaust tjetër me molotov” e të ngjashme.
Është interesante se ata kanë marrë pak ditë më parë çmimin kryesor që jepet në Gjermani për muzikë të popullarizuar “Echo”. Dhe pikërisht ky çmim është kontestuar me të madhe ndër muzicientët dhe mediat në Gjermani e më gjerë. Kontestimi ka shkuar aq larg sa që disa nga fituesit në kategoritë tjera, në shenjë proteste, e kanë refuzuar çmimin në fjalë.
Ambasadori Gjoni: Cenim i rëndë për imazhin e shqiptarëve
Fakti se festivali mban emrin “shqiptar” dhe se mbahet në emrin e komunitetit shqiptar, ka nxitur reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë. “Ky aktivitet, nën emrin “Festivali Shqiptar” për Ambasadën e Republikes se Shqiperise është i papranueshëm piksëpari për arsyen se te dy të ftuarit, përmes muzikës së tyre bëjnë propagandë anti-Semite duke përçuar një mesazh të dënueshëm. Bërja pjesë e tyre në aktivitetin që ju e keni quajtur “Festival Shqiptar” cënon rëndë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve e për pasojë është kategorikisht i papranueshëm”, thuhet në tekstin e reagimit që ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni i ka bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë organizatorit të festivalit dhe që ia ka përcjellë edhe albinfo.ch. “
Kjo është e papranueshme si për Republikën e Shqipërisë ashtu dhe të gjithë popullin shqiptar i cili botërisht dihet se ka qenë dhe është një ndër popujt e rrallë që ka mbrojtur e strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thuhet më tej në letër. Në fund Gjoni u është drejtuar organizatorëve me kërkesën “që të rishqyrtojnë vendimin për të ftuar raperat e sipërpërmendur dhe ndryshuar emrin e Festivalit”.
Po ashtu z. Gjoni ka konfirmuar për albinfo.ch se së bashku me Ambasadën e Republikës së Kosovës do të dalin me një komunikatë të përbashkët për të dënuar këtë organizim.
Edhe Mustafë Xhemaili, aktualisht ushtrues detyre i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bernë ka konfirmuar për albinfo.ch se së shpejti do të publikohet komunikata e përbashkët e përmendur më lartë. Ai po ashtu, duke folur në emër të ambasadës, ka dënuar ashpër veprimin e organizatorëve të festivalit. “Është e papranueshme që në emrin e komunitetit shqiptar të Zvicrës të ftohen këngëtarë të tillë që përmes teksteve të këngëve të tyre përçojnë urrejtje antisemite”, ka thënë veç tjerash Xhemaili.
Jakurti: KSHZ gjykon ashpër pjesëmarrjen e reperëve antisemitë
Kategorik kundër këtij veprimi të organizatorëve shqiptarë të festivalit është shprehur edhe Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, në një prononcim të bërë me kërkesë të albninfo.ch. “Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, distancohet dhe e gjykon ftesën për dy reperët me ngarkesa raciste dhe antisemitiste, në “Albanian Festival”. Shqiptarët, ishin vetë viktimë e urrejtjes dhe diskriminimit racist plot një shekull, ndaj janë të ndieshëm ndaj këtyre temave. Ne kemi një të kaluar të ngjashme me popullin hebre (ndonëse në përmasa të pakrahasueshme). Edhe ne ishim cak i projekteve asgjësuese, të cilat për fat nuk u realizuan në tërësi, falë intervenimit të botës së civilizuar, ku rol te pazëvendësueshëm kanë shumë personalitete botërore të përkatësisë hebreje!
Themelet e miqësisë me ta i vunë të parët tanë tek rrezikuan jetën për të shpëtuar familjet e pafajshme hebreje nga fashizmi i egër në Luftën e Dytë botërore. Pra, ideologjia naciste dhe antisemitiste bie ndesh me traditën dhe nderin, filozofinë jetësore dhe mbi të gjitha me interesat kombëtare të shqiptarëve! Si të tillë i kundërshtojmë me forcë dhe distancohemi nga paraqitje të tilla! Nga organizatorët kërkojmë t’ua anulojnë ftesën dy reperëve në fjalë dhe ta lënë publikun shqiptar ne Zvicër të kënaqet me vlerat kulturore të artistëve të mirëfilltë”, thotë anëtari i kryesisë së Kuvendit Shqiptar të Zvicrës, Nazmi Jakurti. Ai nënvizon po ashtu edhe bashkëpunimin shembullor që KSHZ ka pasur para dy viteve me komunitetin hebre të Zvicrës në organizimin e ekspozitës shëtitëse “Besa”.
Mehaz Alija, UBISHZ: Të papranueshme të gjitha tendencat e natyrës antinjerëzore
Një prononcim për albinfo.ch lidhur me rastin e ka bërë edhe Mehas Alija, Kryetar i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër.
“Parimet tona si mirëkuptimi, toleranca dhe bashkëjetesa shoqërore janë të njohura, ndërsa janë të papranueshme të gjitha tendencat që janë të natyrës antinjerezore, raciste, antisemite, antikrishte dhe antiislame. Për ne është shumë e rëndësishme që të ruhen vlerat pozitive qytetëruese të kësaj shoqërie ku jetojmë dhe derdhim djersën dhe mundin tonë. Në këte shtet ne i çmojmë lartë vlerat më fundamentale të njerezimit, siç janë harmonia multikulturore, multikonfesionale dhe multinacionale, e që mbeten përjetësisht si vlera më themelore dhe sublime të shtetit zviceran”, ka thënë Mehas Alija Kryetar i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër.
Fehim Abazi, BSHIZ: Kundër gjuhës ksenofobike e antisemite
Fehim Abazi, kryetar i Bashkësisë Shqiptare Islame të Zvicrës shpreh shqetësimin e tij dhe të organizatës që drejton lidhur me këtë zhvillim. “Si prijës fetarë dhe pjesë e shoqërisë zvicerane, e cila ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe race shquhet për vlera të larta demokratike dhe humane,ne gjithmonë kemi shprehur dhe shprehim shqetësimin tonë për gjuhën anatemuese, xenophobike dhe anitsemite të kujtdo qoftë dhe nga kushdo qoftë. Për ne, gjithashtu, është shqetësues reagimi i shumë faktorëve publik dhe politik në Zvicër si dhe më gjerë, rreth organizimit të një koncerti në cilin përveç të tjerëve janë inkuadruar edhe dy reperë të njohur në opinionin publik për gjuhën e tyre antisemite. Brengosës për ne është edhe fakti se organizatori i këtij koncerti është me kombësi shqiptare, përderisa botërisht dihet se ne si komb dhe si popull gjatë Luftës së Dytë Botërore jemi shquar për ruajtjen dhe mbrojtjen e të përndjekurve hebrenj”
Albinfo.ch gjatë gjithë paradites së sotme ka bërë përpjekje për të kontaktuar organizatorët e “Albanian Festival”, B. M., por ka qenë e pamundur, pasi që ai dhe as ndonjë tjetër nga ekipi i tij, nuk u përgjigjen e-mailave, thirrjeve telefonike dhe mesazheve në facebook.
Organizatori i evenimentit “Albanian Festival” është B.M. dhe pronar i një autoshkolle në Zvicër.
Krahas dy reperëve kontestues, të cilët këndojnë këngë antisemite, kundër homoseksualëve dhe maskiliste aty ishin ftuar edhe këngëtarët shqiptarë si Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi dhe Meda. Por sigurisht, ajo që ka shqetësuar publikun zviceran është pjesëmarrhja e dy reperëve kontroversë nga Gjermania: Kollegah (emri civil Felix Blume) dhe reperi me origjinë marokene Farid Bang (emri civil Farid Hamed El Abdellaoui).
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë