Shkurt.ch

Kundër heqjes së shërbimit të detyruar ushtarak

Komisioni për siguri shtetërore i Parlamentit të Zvicrës (Dhoma Nacionale) është shprehur me shumicë votash kundër heqjes së shërbimit të detyruar ushtarak. Me këtë qëndrim, komisioni në fjalë ka kundërshtuar iniciativën e organizatës GSoA (Grupi për një Zvicër pa Ushtri) për shërbim profesional e vullnetar ushtarak.

Komisioni po ashtu ka rekomanduar të hidhet poshtë iniciativa e përmendur.

Për këtë qëndrim kanë votuar 18 anëtarë ndërsa kundër tij, 7 sish. Shumica e anëtarëve të komisionit druajnë se një ushtri e përbërë nga vullnetarët është hapi i parë drejt një ushtrie profesionale, shkruan drs.ch. Ndërsa iniciuesit, në të kundërtën, e konsiderojnë të padrejtë sistemin e tanishëm të shërbimit të detyruar ushtarak.

Sipas tyre, shumë të rinj, për t`i ikur këtij shërbimi, marrin vërtetime nga mjeku për paaftësinë e tyre. Të gjitha shtetet që kufizohen me Zvicrën e kanë hequr tashmë shërbimin e detyruar ushtarak ose janë në veprim e sipër për ta hequr atë.