albinfo.ch
Zhvillim
Kumanova – streha dhe foleja e emigrantëve sirianë
Xhamia e Kumanovës është shndërruar për çdo ditë në një qendër të grumbullimit të mijëra emigrantëve nga Lindja e Mesme.
Oborri dhe ambientet e brendshme të xhamisë janë të stërmbushura me emigrantë, të cilët janë nën përkujdesjen e vullnetarëve human të organizatave humanitare, por edhe të qytetarëve që vullnetarisht janë në dispozicion për të ndihmuar emigrantët.
Rrëfimet e tyre janë trishtuese duke shpëtuar nga vdekja. Rrugëtimet prej mijëra kilometrave në këmbë, vdekja e familjarëve nëpër male e rrugë, trishtimi i fëmijëve, uria dhe mbijetesa pa bukë e ujë për më shumë tre ditë janë disa nga dëshmitë që rrëfejnë emigrantët për albinfo.ch, të cilët shpjegojnë udhëtimin e tyre nga Siria e Afganistani, për të shpëtuar jetën e tyre.
Emigrantët thonë se xhamia e Kumanovës është një vend i shenjtë për ta dhe një qendër që ata gjejnë shpëtimin dhe mikpritjen. Ata theksojnë se do ti ngelen borxh përgjithmonë qytetarëve të Kumanovës të cilët po ndihmojnë në çdo çast dhe po ofrojnë shërbime mjekësore, humanitare dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme.
Mohammad al – Mousa, një sirian në moshë thekson se është i habitur për solidaritetin e treguar nga qytetarët e Kumanovës.
“Ne jemi shumë shumë faleminderues dhe Zoti ta ndihmojë këtë popull kaq human dhe bujar. Ata çdo gjë po na afrojnë. Këtë ndihmesë dhe përkrahje se kemi gjetur askund sa kemi ecur me këmbë. Këtë e thonë të gjithë dhe ju si popull do të jeni simbol i humanizmit për ne”, rrëfen për albinfo.ch, Mohammad al- Mousa, një intelektual sirian, i cili me familjen e tij kishte udhëtuar nga Siria drejt Turqisë, më pas në Greqi dhe duke mbërritur në Maqedoni.
Kumanovarët dëshmojnë me solidaritetin e tyre
Qemaledin Saiti, anëtar i këshillit të xhamisë së Kumanovës thotë se në ditë mbërrijnë nga 200 deri 500 emigrantë. “Është një numër shumë i madh dhe kemi frikë se do të shtohet edhe shumë në ditët në vijim. Po vijnë nga 200 e deri në 500. Të gjithë këtu po strehohen dhe po mundohemi t`i shërbejmë me gjithë ato mundësi që kemi. Por faleminderojmë edhe gjithë ata që po na mbështesin”, thekson Qemaledini.
Mësuesja Emine Kurtishi është një humaniste e dalluar e cila jeton përballë xhamisë së qytetit shpjegon se me vajzën e saj që në ditët e dimrit ka dhënë gjithçka për emigrantët. “Që në dimër kemi parë emigrantë që strehoheshin në xhami. Ne jemi tmerruar kur kemi parë fëmijë të ngrirë nga i ftohti, gra që kërkon ndihmë dhe që ishin të rraskapitura. Me vajzën time kemi nisur që ti përgatisim supa dhe qumësht të ngrohtë. Kështu kemi vazhduar me ditë e netë të tëra dhe këtë e bënim në fshehtësi dhe me humanizëm, por nga ana tjetër frikësoheshim se mos po na shohin organet policore, sepse ndalohej ndihma apo përkrahja e emigrantëve”, rrëfen Eminja për albinfo.ch.
Ajo thekson se ditët e fundit është shtuar numri i emigrantëve dhe se ajo është shndërruar në një humaniste kujdestare para xhamisë, duke shpërndarë dhe ofruar ndihma. “Për çdo ditë jemi këtu me vajzën time dhe ofrojmë ndihmë. Tani kemi ndihmë me bollëk dhe se nuk e kemi problem për të ndihmuar emigrantët, sidomos gratë dhe fëmijët”, rrëfen Eminja.
Por sikur ajo janë edhe shumica e vullnetarëve të tjerë që po japin kontributin e tyre. Ziska është një piktore maqedonase e cila gjithashtu po qëndron brenda xhamisë dhe po ndihmon emigrantët. “Unë jam këtu që para disa ditëve dhe po mundohem të jap kontributin tim. Po ndajë ndihma, por edhe kur është nevoja kam lidhur dhe shëruar plagë”, thekson Ziska.
Brenda xhamisë janë edhe aktivistë të organizatave të ndryshme humanitare fetare, por edhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë, ku aktivistë të tyre po ndihmojë, duke ofruar kryesisht edhe shërbime mjekësore. Në xhami kanë mbërritur edhe mjekë vullnetarë të qyteteve të tjera që po ofrojnë ndihmën e tyre.
“Shumica e emigrantëve i kanë këmbët e lënduara dhe me plagë të rënda, për shkak të rrugëtimit në këmbë për qindra e mijëra kilometra. Ata për disa ditë janë shtrirë këtu në xhami dhe po mjekohen dhe pastaj ikin drejt destinacionit që kanë planifikuar. Është e çuditshme se nuk duan të shkojnë në spital dhe insistojnë që të qëndrojnë vetëm në xhami, sepse ndjehen më të sigurt”, thekson Suada, një infermiere vullnetare.
Rrugëtimi në këmbë dhe trishtimi
Alua, është një burrë sirian me profesionin e profesorit të fizikës, i cili thotë se ka përjetuar trishtim dhe golgotën gjatë rrugëtimit të tij mijëra kilometrash.
Destinacioni i shumicës së emigrantëve është nga Siria në Turqi, më pas përmes rrugëve detare dhe tokëse në Greqi, dhe duke përfunduar në Maqedoni.
“Ne ikëm për të shpëtuar nga vdekja. Jemi nisur para disa muajve nga Siria, duke kaluar me shumë vështirësi drejt Turqisë. Kemi vuajtur shumë gjatë këtij rrugëtimi trishtues duke mbërritur njëherë në Greqi dhe tani në Maqedoni. Këtu ku jemi në Kumanvë sikur të jemi në parajsë. Ndjehemi të lirë”, thotë Alua.K, i cili flet gjuhën angleze, por që thotë se nuk do të ekspozohet para kamerave dhe fotoaparateve, për shkaqe të tij personale dhe të sigurisë.
Ai thotë për albinfo.ch se një pjesë e familjes ka mbetur në Siri dhe ndoshta mund të pësojë në rast se do të shfaqet fotoja ime. Alua thekson se për çdo ditë populli i tij po ikin nga Siria dhe çdo ditë vdesin me qindra veta gjatë golgotës së ikjes. “Kemi paguar nga 1000 euro për të udhëtuar me varkë nga Turqia për në Greqi. Varka ishte për 20 veta, por ajo u stërmbush me 50 veta. Aty kemi parë me sy vdekjen në mes të detit. Ka pasur të vdekur, që nuk i kanë mbijetuar dallgëve dhe trishtimit nëpër det. S`dij çka të them, jemi shumë të tmerruar”, rrëfen Alua.
Housamm Kanaboe është emigrantë nga Somalia. Ai bashkë me gruan dhe fëmijët e tij është stacionuar në xhaminë e Kumanovës.
“Kemi hjekur shumë dhe kemi parë më sy vdekjen. Derisa kemi mbërritur këtu, nëpër rrugë e male kanë vdekur mbi 20 shokë dhe familjar tanë. I kemi varrosur ku kemi mundur, sepse nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Kemi qenë viktima të kontrabandistëve dhe grupeve të ndryshme, që na kanë grabitur, na kanë lënë pa paratë që kishim dhe pa bukë e ujë. Bashkë me shokët e mi kemi udhëtuar për 3 ditë pa bukë e ujë dhe çka të them jeta jonë është shumë e vështirë”, thekson Housamm.
Të pyetur se ku duan të shkojnë pas Kumanovës, shumica prej tyre thonë se duan të shkojnë në Gjermani, por edhe në Francë e Belgjikë, ku thonë se kanë të afërm të tyre. Ata pranojnë se deri tani kanë harxhuar nga 2 mijë deri në 3 mijë euro duke paguar për rrugën, strehimin, por duke qenë edhe viktima të grabitjes nga grupet e trafikantëve nëpër zonat kufitare.
Një rast të tillë e shpjegojnë edhe në territorin e Maqedonisë. Një mesoburrë afgan thotë se së bashku me një grup prej 20 vetave kanë qenë viktima të një grupi të uniformuar me rroba policie apo ushtarake.
“Na kanë ndaluar në një zonë malore sapo kemi kaluar kufirin me Greqinë dhe na kanë kërkuar paratë që kishim. Ne kemi rezistuar sepse kemi parë që janë trafikantë. Por nja dy prej tyre kishin rroba ushtarake apo policie. Nuk mund të them se a janë zyrtar a jo. Por këtë rast e kemi denoncuar para organeve policore në një stacion policie, sepse na u vodhën paratë”, thekson emigranti afgan.
Qeveria ndryshoi ligjin, policia po parandalon kontrabandën
Qeveria e Maqedonisë me qëllim të evitimit të fluksit të madh të emigrantëve dhe lëvizjeve të tyre ilegale, gjatë kësaj jave miratoi ligjin e ri për emigrantët dhe azilin. Me ndryshimet e reja ligjore, emigrantëve u mundësohet qëndrim legal 72 orësh në territorin e Maqedonisë dhe më pas largimi i tyre në mënyrë legale. Një mundësi tjetër për ta është edhe që të aplikojnë për statusin e azilit në Maqedoni.
Por shumica e emigrantëve nuk duan të qëndrojnë në Maqedoni. Qindra emigrantë të vendosur në Qendrën e Azilit në Gazi Babë të Shkupit kanë protestuar dhe janë në grevë urie për shkak të kushteve të këqija dhe kërkesave për t`i lënë të lirë që të braktisin Maqedoninë. Një pjesë e tyre me ndryshimin e ligjit janë lënë të lirë dhe janë deportuar drejt kufirit me Serbinë.
Nga ana tjetër, autoritetet policore kanë ndërmarrë së fundi aksione në parandalimin e grupeve të trafikantëve, të cilët po trafikojnë emigrantët ilegal. Në disa lagje të Kumanovës dje janë arrestuar disa persona të dyshuar për trafikimin e emigrantëve. MPB thekson se bëhet fjalë për një grup të organizuar që po transportonte dhe strehonte me para emigrantët ilegal, duke i marrë nga 100 deri 500 euro për person. Një javë më parë në fshatin kufitar Vaksincë me Kumanovën u ndaluan rreth 130 emigrantë ilegal dhe 6 banorë të fshatit. Këta të fundit akuzohen për strehimin e emigrantëve dhe se policia ka ngritur kallëzime penale. Emigrantët janë deportuar dhe një pjesë janë dërguar në Qendrën e Azilit.
Maqedonia po vazhdon të jetë një qendër tranziti për emigrantët ilegal, të cilët po çdo ditë po pushtojnë këtë vend. Një pjesë e tyre rrugëtimin në këmbë e kanë zëvendësuar me biçikleta, të cilat vështirë janë për t`u gjetur në pjesën lindore të vendit. Ndërsa me të mbërritur në Kumanovë apo në afërsi të kufirit me Serbinë, ato shiten masivisht nga emigrantët. Derisa një biçikleta e përdorur në fshatrat kufitare me Greqinë shitet nga maqedonasit deri në 500 euro, në Kumanovë ato më pas jepen për 10 deri 50 euro, pasi që emigrantët arrijnë në destinacionin e duhur, për të kaluar më pas në këmbë në Serbi. Pamjet e tilla përsëriten për çdo ditë, por që numri i emigrantëve duke u shtuar edhe më shumë.
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Plani i madh 5-vjeçar i punës fillon në Gjenevë vitin e ardhshëm
-
Zviceranët do të votojnë për subvencionet e trenave të natës
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi