Opinione

Kultura si masë parandaluese kundër radikalizimit

Në Zvicër, ka dekada të tëra që jetojnë komunitete me identitete e me stil të jetës të ndryshëm. Këto komunitete janë në kontakt në mes veti dhe me popullsinë autoktone zvicerane e cila po ashtu nuk është kompakte po e përbërë nga komunitete. Ardhja e komuniteteve të reja në realitetin zviceran shpesh herë përcillet me një lloj ngurrimi apo paragjykimi që ndikon në vendosjen e frikës së ndërsjellë dhe së fundi ushqen një mbyllje në vetvete të komuniteteve.

Komuniteti shqiptar ka dekada të tëra që jeton dhe punon në Zvicër, po mos të harrojmë që për popullsinë vendëse dhe për komunitetet tjera që jetojnë në Zvicër, komuniteti shqiptar mbetet ende shumë i panjohur. Në fakt, në të gjitha statistikat zyrtare, pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë figuruar si shtetas jugosllavë dhe një që dihet që nismat për tu dalluar haptas nga popullsitë tjera të ardhura nga ish Jugosllavia kanë filluar me vendosjen e azilkërkuesve shqiptarë të Kosovës pas demostratave të vitit 1981 në Kosovë. Ky numër i vogël  i azilkërkuesve shqiptarë, edhe pse kanë bërë një punë të madhe për ta bërë të njohur çështjen shqiptare në Zvicër, për shkak të situatës që ka mbretëruar në Kosovë është imponuar që forca dhe angazhimi i komunitetit të oriontohet për ndihmë së pari familjare dhe për organizim të shoqërisë shqiptare në Kosovë.

Pas luftës në Kosovë, te komuniteti shqiptar në Zvicër u ndie një frymë e re e lirë, me vizione e me projekte që përkojnë me situatën në të cilën gjendet komuniteti ynë.

Filluan organizimet e reja, të shoqatave me qëllim të realizimit të aksioneve në fushat kulturore, artistike, shkencore, sportive apo humanitare.

Krahas këtij organizimi, interesimi dhe kureshtja e zviceranëve që të njohin edhe më shumë komunitetin ndër më vitalët në Zvicër, u shtua. Ashtu siç u shtuan kontaktet dhe vizitat e tyre në Kosovë.

Po paralelisht, ashtu pa hetuar, filluan të shfaqen dukuritë për të cilat nuk kishim dëgjuar shumë apo të cilat ishin fshehur dhe ishin mbetur nën hijen e situatës që mbretëronte në Kosovë para dhe gjatë luftës…

Dukuri si radikalizimit të rinjve shqiptarë apo shfaqja e dukurive si dhuna në familje…

Dukuria e radikalizimit të të rinjve shqiptarë në Kosovë dhe Zvicër ishte, është dhe do jetë temë dhe sidomos situatë që kërkon shumë angazhim të gjithanëshëm të komunitetit tonë qoftë në Zvicër apo në Kosovë.

Dukuria e radikalizimit të të rinjëve në Zvicër kërkon analizë, shpjegim, angazhim, informim qoftë pranë dhe me komunitetin tonë qoftë me popullësinë zvicerane.

Kontaktet të drejtpërdrejta janë si mundësi më e mirë për tu njohur. Po për të pasur kontakte, duhet që të krijojmë raste të tilla për njohje reciproke. Është një proces që kërkon tolerancë, kohë dhe shumë energji në njohjen reciproke në kontekstin e llojllojshmërisë kulturore. Po rezultati i këtij dialogu do të shihet si pasuri ndërkulturore, si formë më e mirë për të luftuar të gjitha format e radikalizimit dhe përjashtimit !

Lufta kundër radikalizimit kërkon jo vetëm mbrojtje të të drejtave fundamentale po edhe të shfrytëzimit të këtyre të drejtave qoftë në mes kulturës, njohurive të ndryshme, edukimit etj, si forma më jetike të funsionimit demokratik të një shoqërie.

E gjithë shoqëria apo komuniteti është i shqetësuar nga radikalizimi dhe jo vetëm një pjesë që konsiderohet potencialisht e rrezikuar. Bëhet fjalë për të rinjtë që munden të jenë viktimë e të panjohurave që sjellë radikalizimi në emër apo për emër të ndonjë ideologjie !.

E rëndësishme është të reagohet herët dhe atë me të rinjët.

« Arti dhe teatri kanë qenë gjithmonë instrumente të propagandës ». E përdorimi i kulturës për të parandaluar shfaqjen e radikalizimit është një formë që u mundëson të rinjve të rritur në Zvicrën shumëkulturore të marrin edhe përgjigjje në pyetjet që munden t`i kenë sa i përket identitetit të tyre. Fjala « Kulturë » çfarë kuptimi merr në shoqërinë shumëkulturore në të cilën rritet i riu shqiptar-zviceran?

– Në kuptimin e parë të fjalës ; kultura mundet të funksionojë si urë lidhëse në mes të kulturave, mundëson takime nxitëse për një njohje e mirëkuptim të ndërsjellë.

– Në kuptimin e dytë të fjalës ; fjala kulturë duhet të kujdeset që të mos shndërrohet si shkak për të justifikuar një mospërfillje dhe të krijojë pasoja për komunitete.

– Në kuptimin e tretë të fjalës ; fjala kulturë në kontkestin shumëkulturor duhet të shikohet si zgjidhje e problemeve e jo si problem në vetëvete.

Ajo çfarë dihet tani për procesin apo për shfaqjen e radikalizimit të të rinjve është se ky proces bëhet në nivel lokal dhe po kështu në nivel lokal duhet të merren masat parandaluese. Autoritetet shtetërore mund të bëjnë vetëm një pjesë të punës çka ka të bëjë me parandalimin po pastaj u takon shoqatave apo strukturave tjera shoqërore të kontribuojnë që të mundësojnë largimin e keqkuptimeve dhe të nxisin marrëdhënie për të nxitur aktivitete të një edukimi joformal….

Në këtë prizm të prandalimit të shfaqjeve të dukurive të radikalizimit, Teatri Shqiptar “Kurora” me seli në Nyon të Zvicrës është duke realizuar një projekt të titulluar « Me shku në Mars» .

Në kuadër të projektit janë parashikuar realizimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me informimin e të rinjve, realizimin e punëtorive teatrale, të tryezave të rrumbullakta, duke ftuar specialistë në fushën e parandalimit të dukurivë negative në shoqëri.

Në vazhdën e realizimit të aktiviteteve, teatri “Kurora” organizon një tryezë të rrumbullakët më 10 mai 2019 në sallën e fraternitetit në Lozanë të Zvicrës në ora 18h.

Programi do të fillojë me shfaqjen e një pjese teatrore në gjuhën frenge me titullin «  Me shku në Mars – Partir sur Mars »  të shkruar nga Migjen Kajtazi. Pjesa e vogël teatrale bazohet në dialoung në mes një studenti dhe profesorit . Studenti e njofton profesorin se do të shkojë në Mars… Profesori i përgjigjet studentit se vendimi për të shkuar në pushime në muajin mars është vendim i mirë se është sezon kur nuk kushton shtrenjtë dhe ka destinacione të mira turistike edhe në Evropë … dialogu merr pak kohë deri sa profesori e kupton që flitet për projektimin e të riut për të shkuar në planetin Mars…  dialogu vazhdon… në pjesën teatrale nuk përmendet lufta, po mes rreshtash merret vesh që flitet për luftë. Marsi është marrë si figurë mitologjike që simbolizon në faktë Perendiën e Luftës … po ashtu edhe përshkrimet tjera në pjesën teatrale kanë simbolikën e tyre lidhur me vendimet e të rinjve për të marr pjesë në projekte që në fakt nuk janë të tyre …

Pjesa teatrale shërben si përgatiitje për tu futur në temën e parandalimit të radikalizimit, të shtjelluar nga pjesëmarrësit. Tryeza e rrumbullakët do të mbledhë këta specialistë :

Zotëri Philippe Gitz, ish polic në kantonit Vaud dhe njëherësh mësimëdhënës për të drejtat e njeriut

Zonja Catarina Pereira, psikologe, presidente e shoqatës e etnopsikiatrisë në Gjenevë

Zotëri Pascal Gemberli, sekretar i shoqatës të Unionit të Myslimanëve të kantonit Vaud – UVAM

Moderator i tryezës është Zotëri Olivier Meuwly, shkrimtar, historian

Projekti është i mbështetur nga strukturat e konfederatës dhe klubi i UNESCO-së të Lausannës.