10 arsyet për të vizituar tokat shqiptare
Kultura e Kosovës në 10 stacione
Ata që në Kosovë, përveç bukurive natyrore, ushqimeve etj. duan të shijojnë edhe vlerat e kulturës, kanë në dispozicion një numër mundësish
Kultura është një nga asetet e mëdha të Kosovës. Në Kosovë ka një numër muzesh që tregojnë për historinë e vendit. Ka gjithashtu shumë shumë teatro e disa kinema, nëse jeni të interesuar për shfaqje e filma. Mbi të gjitha, ka mjaft vende me rëndësi historike, që tregojnë periudhat e ndryshme në të cilat ka kaluar Kosova dhe populli i saj. Albinfo.ch ju sjell dhjetë vendet kulturore, që mund t’i vizitoni.
Muzeu i Kosovës: Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë austro-hungareze ku ai është vendosur, daton që nga viti 1885/86. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme; prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, etno-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj.
Muzeu Etnologjik: Muzeu etnologjik është pjesë përbërëse e Muzeut të Kosovës. Ky muze është hapur me 27 korrik 2006, respektivisht për publikun në muajin shtator të vitit 2006. Gjatë viteve 1990-të, ky kompleks është përdorur si muze i natyrës. Ky kompleks etnologjik, është margaritar i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përbëhet nga katër ndërtesa të shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, dhe ka brenda ekspozitën etnologjike jashtëzakonisht interesante, e cila tregon jetën në Kosovë në aspektin etnologjik gjatë shek. XV-XX.
Lokaliteti arkeologjik Ulpiana: Ulpiana është një monument i rrallë i trashëgimisë kulturore. Një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan. Gërmimet arkeologjike kanë dhënë gjurmë të jetës pararomake, por jo aq sa për të thënë se Ulpiana është një qytet ilir. Ulpiana është një vazhdimësi e një vendbanimi ilir. Qyteti ndodhet afër qytetit të sotshëm Lipjan në Kosovë.
Kalaja e Novobërdës: Novobërda besohet se është qyteti më i vjetër në Kosovë dhe gjendet rreth 35 km nga Prishtina. Kalaja e saj është ndër më të vjetrat në rajon dhe i përket shekullit 13, nga koha bizantine. Muret arrijnë në tre metra gjerësi. Gjithashtu ka pasur edhe disa puse. Vitin e kaluar rreth 10 mijë turistë e vizituan këtë vend. Gjithashtu ka edhe xhami e katedrale në Novobërdë.
Kalaja e Prizrenit: Është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, dhe konsiderohet simboli i qytetit gjegjësisht një element me rëndësi në identitetin kulturor të Kosovës. Kalaja i ka fillet e saj në periudhën e parë të qytetërimit të këtij rajoni, në parahistori, me një zhvillim të vazhdueshëm në periudhën bizantine, serbe dhe osmane. Është përdorur ekskluzivisht si kala deri më 1912. Një rrugicë nga qendra e qytetit të shpie në kala, zgjat rreth 15 minuta ecje në këmbë, dhe ju mund të kënaqeni me pamjen e plotë të qytetit, të fotografoni apo thjesht të shikoni diellin duke perënduar.
Teatri Kombëtar i Kosovës: Shfaqjet e para janë dhënë në Prizren më 1946. Ky ishte institucioni i parë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore nga i cili më vonë do të krijohet teatri profesionist. Shumë shpejt, disa muaj pas themelimit, ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që, në vitet ’60, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste. Ndodhet në qendër të Prishtinës dhe çdo ditë ofron shfaqje teatrore.
Teatri Dodona: Është themeluar më 12 nëntor 1986 me vendim të Bashkësisë punuese të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ismajl Ymeri, duke qëndruar me këmbë mbi gërmadhat e faltores së njohur Ilire DODONA pat propozuar që ky teatër i ri të quhet DODONA. Shfaqjet e Teatrit kanë marrë pjesë në disa festivale anë e këndë botës dhe ka pasur edhe rezultate. Festivali Evropian i Teatrove të Kukullave i cili mbahet tradicionalisht çdo vit në Pogradec, Festivali i Kajros, Festivali i Luganos, Ditët e Kulturës Shqiptare në Paris, Ditët e Teatrit të Kukullave në Mistellbah të Austrisë.
Hamami i Madh i Prishtinës: Hamami i Madh në Prishtinë është monument i rëndësishëm dhe gjendet në një ansambël po aq të rëndësishëm urban në qendër të Prishtinës. Afërsia me tri xhamitë historike, Sahat Kullën, me disa shtëpi nën mbrojtje dhe me një pazar, duke pasur edhe qasje në një ndër rrugët kryesore të qytetit, paraqet mundësi të zhvillimit dhe të ringjalljes së kësaj zone të rëndësishme për qytetin. Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por në bazë të shënimeve që ekzistojnë duhet të jetë ndërtuar në shek. XIV-XV, duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Prishtinës me gjenerata të tëra. Hamami është i tipit çift, pra është shfrytëzuar nga meshkujt dhe femrat në të njëjtën kohë.
Kinemaja Doku Kino- Prizren: Është hapur më 3 dhjetor 2013, duke rikthyer kinemanë në qytetin e Prizrenit. Shfaqet filmat hollivudianë, ata më të rinj por edhe filma të “Doku Fest”-it. Ky festival është ndër më të njohurit në Kosovë dhe sjell shumë turistë nga shumë shtete evropiane.
Kalaja e Harilaqit: Është ndërtim i periudhës romake që datonte që nga shekujt IV-VI. Mbeturinat e kështjellës janë zbuluar në vitin 2005 nga arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës, të udhëhequr nga Prof. dr. Jahja Drançolli, drejtor i këtij Instituti. Vendi i zbulimit në Harilaç, 25 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Fotot: Arben Llapashtica
Të tjera nga 10 arsyet për të vizituar tokat shqiptare
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa