Kosova

Kullashi: Kalimi tek Interi, hap i rëndësishëm për karrierën

Futbollistja Loreta Kullashi së fundmi është transferuar tek klubi nga Italia, Inter.

Kullashi është nga Kosova, por e rritur dhe e zhvilluar si futbolliste në Suedi.

Futbolli i vajzave në Itali po rritet hovshëm, ndërsa pjesë e këtij zhvillimi është edhe Loreta.

“Jam shumë e kënaqur që kam nënshkruar me Interin. Është një hap i madh përpara në karrierën time dhe një mundësi e madhe për të treguar aftësitë që i kam në futboll”, ka thënë ajo për KOHËN, të mërkurën.

Loreta ka theksuar se Interi po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi ekipit të futbollisteve. Përshtypjet e saj të para në qytetin e Milanos dhe te klubi i ri janë shumë pozitive.

“Me Interin duam të jemi në mesin e tri skuadrave më të mira në Itali dhe të luajmë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Shpresoj se mund ta ndihmoj ekipin të arrijë këtë qëllim duke shënuar sa më shumë gola dhe duke bërë sa më shumë asistime”, ka vazhduar sulmuesja.

Interin në edicionin e ri e udhëheq Gianpiero Piovani qw ishte deri më tani te Sassuolo.

“Fakti që trajneri që kisha te Sassuolo tani është tek Interi, ka ndikuar në transferim. Ai është një nga arsyet pse vendosa të vija tek Interi. Më njeh mirë dhe është i njoftuar për aftësitë e mia”, ka thënë Kullashi.

Ajo pranon që përvojë te Sassuolo e ka ndihmuar të bëj hapin tjetër para në karrierë.

“Kam pasur mundësinë të tregoj veten në Serie A dhe kam fituar shumë përvojë e vetëbesim. Shpresoj që tek Interi të shënoj më shumë gola dhe të kontribuoj me asistime”.

Interi në edicionin e kaluar ishte i pesti në Serie A me 26 pikë. Titullin e fitoi Roma, ndërsa pas saj ishin Juventusi, Fiorentina e Sassuolo./Koha.net