Të tjera
Kujt po ia urojmë Ditën e Alfabetit?
Ka disa çështje që e bëjnë urimin për Ditën e Alfabetit disi të kotë dhe paradoksal.
Dje, më 22 nëntor 2024, ishte Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe. Siç ndodh me çdo festë, njerëzit filluan të uronin njëri-tjetrin në internet… duke mos respektuar alfabetin.
Ka disa çështje që e bëjnë urimin për Ditën e Alfabetit disi të kotë dhe paradoksal.
Së pari, janë pikërisht këta që po i urojnë njëri-tjetrit këtë festë, që po e shkatërrojnë këtë alfabet. Shumë shqiptarë u kanë vënë emra të huaj fëmijëve të tyre. Sigurisht, të gjithë janë të lirë të vendosin çfarëdo lloj emri që ka dëshirë, por këta prindër kërkojnë që emri i huaj i fëmijës të mos lakohet. Lakimi i emrave është njëra nga vetitë që e bëjnë shqipen atë që është. Të mos lakosh emrin do të thotë të shembësh njërën nga shtyllat kryesore të ngrehinës së gjuhës.
Së dyti, janë pikërisht këta që po i urojnë njeri-tjetrit këtë festë, të cilët, kur hapin ndërmarrje (biznese) i emërtojnë me fjalë të huaja, madje edhe kur ndërmarrja në fjalë nuk ka të bëjë fare me të huajt. Nuk po përmend emra këtu, por mjafton të shihni emërtimet e ndërmarrjeve në Shqipëri: gjen emra të huaj që nga furra e bukës e deri te libraritë.
Së treti, emrat e huaj nuk po lakohen më as në përkthimet që bëhen nga emra të njohur të përkthimit. Emrat e huaj po lihen siç janë, si në libra, ashtu edhe në medie (media po përhap një valë që po e shkatërron gjuhën nga rrënjët). Përkthyesit (dhe botuesit) po mjaftohen thjesht me vendosjen e një prapashtese lakimi. P.sh. sot emri i huaj “Mike” (shqipto: majk), po shkruhet siç është, i ndjekur nga prapashtesa e lakimit. Pra:
- “Mike-u erdhi dje”;
- “Foli me Mike-un”;
- “Këtë ia dhashë Mike-ut” etj.
Kjo praktikë nuk cenon vetëm fjalorin dhe kënaqësinë e leximit shqip, por ndryshon edhe sintaksën dhe përbuz lexuesin, duke i lënë të kuptojë se ai duhet të dijë t’i shqiptojë vetë këta emra, edhe pse është detyra e përkthyesit t’ia përgatisë këtë. Të presësh që lexuesi të dijë t’i shqiptojë vetë është njëlloj sikur të shkosh në restorant ku kuzhinieri të ta sjellë gjellën të pagatuar dhe të të thotë: “Gatuaje edhe pak vetë se nuk është detyra ime ta gatuaj deri në fund.”
Ka edhe pika të tjera, por kaq mjafton për të vënë në dukje inferioritetin që kemi ne si popull: po përbuzim tonën, gjuhën tonë, për t’i dhënë përparësi gjuhës së dikujt tjetër, a thua ai na do ne më shumë se ne veten? Le të vëmë emra shqip dhe le të veprojmë sipas rregullave të gjuhës. Secila gjuhë ka rregullat e veta, po kështu edhe shqipja.
Megjithatë, në vend që të bëj moralizim për gjuhën dhe ruajtjen e saj, po jap disa zgjidhje fare bazë. Ja pesë prej gabimeve kryesore që duhet të shmangim për të respektuar këtë alfabet dhe këtë gjuhë.
- Emrat e kombësive shkruhen me shkronjë të vogël:
Gabim: punonjës Italian, gjuhë Angleze, shtetas Amerikan, bashkëshorte Shqiptare
Saktë: punonjës italian, gjuhë angleze, shtetas amerikan, bashkëshorte shqiptare etj.
- Emrat e ditëve të javës, muajve të vitit dhe stinëve shkruhen me shkronjë të vogël:
Gabim: Do të takohemi të Martën dhe të Enjten; ka plan të vijë në Janar dhe në Korrik; atij i pëlqen shumë Vjeshta
Saktë: Do të takohemi të martën dhe të enjten; ka në plan të vijë në janar dhe në korrik; atij i pëlqen shumë vjeshta
Bëjnë përjashtim vetëm ditët e festave kombëtare, p.sh. 7 Marsi, 28 Nëntori etj.
- Emrat e profesioneve shkruhen me të vogël
Gabim: ai punon Inxhinier Nafte; ajo është Mësuese e Shqipes
Saktë: ai punon inxhinier nafte; ajo është mësuese e shqipes
- Shkruajini saktë këto fjalë:
- “shqiptar” dhe jo “shqipëtar”
- “Shqipëri” dhe jo “Shqipri”
- “shkruaj/lexoj shqip” dhe jo “shkruaj/lexoj në shqip”
- “kabllo” dhe jo “kabull” (ka tjetër kuptim)
- “Videoja është e mirë” dhe jo “video është e mirë” (kjo vlen edhe për emrat shqiptarë që mbajnë me “o”)
- “Kadareja është shkrimtar” dhe jo “Kadare është shkrimtar” (kjo vlen edhe për emrat e tjerë që mbarojnë me “e” të theksuar)
- “Ta” dhe jo “t’a” (si në fjalinë: do të ta dërgoj më vonë çantën) “T’a” (me apostrof) është e gabuar dhe nuk duhet të përdoret kurrë, edhe pse korrektori automatik e njeh si të saktë.
- Shkronja “ll” dhe “dh” janë të ndryshme: “vodhi” dhe “volli” nuk janë e njëjta gjë.
- Emrat e kompanive të huaja futen në thonjëza dhe jepen të lakuara
- “Facebook”-u është rrjet social.
- Kam hapur llogari në “Facebook”.
Shqiptimin e kësaj fjale e dinë pothuaj të gjithë, por nëse fjala e ndonjë marke është e panjohur, atëherë duhet të jepet e transkriptuar shqip:
- “Bridgewater”-i (shqipto: brixh,uotëri) është kompani amerikane.
Në fund, këto janë vetëm disa nga rregullat bazë. Sikur të zbatonim qoftë edhe kaq, atëherë do ta festonim vërtet festën e alfabetit dhe do të nderonim ata që punuan fort për të pasur këtë që kemi.
Nga M.Sc. Jonis Y. Buzi, përkthyes anglisht-shqip
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane