E-Diaspora

Kujdes gjatë marrjes me qira të veturave në Gjermani

Jo vetëm ushqimi dhe veshja që janë më të lira në Gjermani, edhe për veturat me qera zviceranët e kalojnë kufirin. Megjithatë, nëpër dogana mund të përballen me telashe.

Zviceranët për një javë paguajnë 400 deri në 500 franga për një veturë të huazuar me komoditet të mesëm. Në zonën kufitare gjermane, si Weil am Rhein ose Lörrach e njëjta veturë është në dispozicion për 250 euro. Me një llogari prej 40 për qind më lirë, shumë persona e vlerësojnë si kursimtare për të udhëtuar jashtë vendit. Megjithatë, nëpër dogana mund të haset në probleme, raporton “bz basel”, transmeton Albinfo.ch.

“Personat që banojnë në Zvicër, në parim nuk mund të përdorin në Zvicër asnjë automjet të regjistruar jashtë vendit”, citon gazeta faqen e internetit të Administratës federale të doganave. Përjashtohen veturat me qera, por të cilat duhet të paraqiten në doganë përpara se të bëhet rezervimi.

Edhe pse lajmërimi është falas, mund të humbet kohë e gjatë për pritje: “Nëpër vendkalimet e mëdha kufitare, sidomos në fundjavë, mund të llogaritet në pritje të gjata”, ka pohuar më tej zyra e administratës doganore. Ai i cili nuk e regjistron veturën e huazuar me qera nga jashtë, është subjekt dënimi.

Përveç kësaj, qeraja është e kufizuar në tetë ditë. Personat të cilët kanë vendbanim në Zvicër, duhet ta kthejnë veturën në afatin e caktuar, përndryshe mund të përballen me gjobë. Me një veturë të klasës së mesme, shumë shpejt mund të arrihet deri në 5000 franga.

“Çështja është se automjetet nuk janë të paraqitura në një vend ku regjistrimi dhe sigurimi janë më të lirë ose rregullat për pranim janë më pak të rrepta”, e justifikojnë rregulloren doganat zvicerane. E njëjta rregullore zbatohet edhe në BE.

Gazeta gjithashtu raporton se kompanitë e mëdha të veturave me qera në rajonin kufitar, siç janë Hertz, Avis ose Europcar, nuk i informojnë mirë klientët e tyre zviceranë në veçanti. Tek Hertz dhe Europcar, përgjegjësja bile as që i ka ditur rregullat.

Tek Avis së paku mund të merret një informatë: “Nëse dikush nga Zvicra merr me qira një kamion, ne i themi atij se kjo funksionon vetëm nëse transporti nuk ndodh vetëm brenda Zvicrës”, citon gazeta një punonjëse. Transporti do të duhej të shkonte nga Gjermania në Zvicër ose anasjelltas.