Kosova
Ku shkon miliardëshi nga diaspora që hyn çdo vit në Kosovë?
Se diaspora luan rol kyç në ekonominë e Kosovës, tregon vlera prej 1.3 miliardë euro që hyri në vend gjatë vitit të kaluar. Kjo shumë ndihmon në rritjen dhe zhvillimin e bizneseve në Kosovë. Kështu vlerësohet menaxhimi i këtij buxheti miliardësh nga Oda Ekonomike Zvicerano-Kosovare (OEZK).
Vigan Disha, drejtor menaxhues në OEZK, në një intervistë për albinfo.ch ka treguar se ky institucion fokus kryesor e ka identifikimin e fushave me potencial për t´u investuar, si dhe transparencën nga procesi i investimit. Ai ka thënë se sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, vetëm në priudhën janar-mars 2024 kanë hyrë 185.4 milionë euro nga diaspora në Kosovë.
„Nga ky total, 142.2 milionë euro ose 76% u investuan në sektorin e pasurive të patundshme, ndërsa pjesa tjetër u shpërndanë në aktivitete të tregtisë me shumicë të automjeteve, sektorin financiar dhe sektorin e sigurimeve“, ka thënë Disha për albinfo.ch.
Në intervistën e mëposhtme Disha sqaron se cilat metoda i përdorin për të matur impaktin e investimeve të diasporës.
albinfo.ch: Si i sheh OEZK të hyrat miliardëshe nga diaspora në Kosovë çdo vit? Cili është vlerësimi juaj për menaxhimin e këtij buxheti?
Kontributi i diasporës në Kosovë është tejet i rëndësishëm për ekonominë tonë. Hyrjet miliardëshe që vijnë nga diaspora shërbejnë si motor për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e bizneseve lokale. Sa i përket menaxhimit të këtij buxheti, institucionet publike kanë shfaqur përpjekje për të siguruar që investimet nga diaspora të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe të drejtpërdrejtë në fusha të caktuara zhvillimore. Për më shumë, si Odë Ekonomike kemi përpiluar programe dhe inicativa për të inkurajuar bashkëpunimin dhe investimet e diasporës në projekte që kanë impakt të qëndrueshëm në Kosovë, siç është; sektori i shërbimeve / teknologjisë informative, industrisë së përpunimit të drurit, përpunimit të metalit etj. Përmbushja e pritshmërive të investitorëve dhe ndihma e tyre në rritjen e ndërgjegjësimit të potencialeve të tregut në Kosovë është prioritet për OEZK-në.
albinfo.ch: Sipas OEZK-së, si duhet të menaxhohet buxheti miliardësh nga diaspora, ku duhet të investohet? Cili duhet të jetë fokusi? Kush mund të ndihmojë në rritjen e këtyre investimeve?
Menaxhimi i buxhetit miliardësh nga diaspora në Kosovë duhet të bazohet në një qasje strategjike dhe të përgjegjshme për të siguruar një impakt të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si dhe kthimin në investim të diasporës. Disa udhëzime konkrete për menaxhimin e këtyre fondeve dhe identifikimin e fokuseve të investimit janë si vijon:
Identifikimi i fushave prioritare: Është e rëndësishme të identifikojmë fushat e zhvillimit, të cilat kanë nevojë për investime të mëtejshme dhe që kanë potencial për rritje të qëndrueshme. Këto mund të përfshijnë: energjinë, arsimin, shëndetësinë, turizmin dhe inovacionin teknologjik.
Fokusimi në procese transparente dhe efikase: Duke siguruar transparencë dhe efikasitet në menaxhimin e investimeve, ndikojnë në rritjen e besimit të diasporës dhe të investitorëve potencialë.
Partneritetet publike-private: Bashkëpunimi i ngushtë me autoritetet vendore, qeveritare dhe sektorin privat është kyç për të siguruar një qasje të integruar dhe të koordinuar në menaxhimin e investimeve nga diaspora. Këto partneritete mund të përfshijnë krijimin e politikave të reja dhe të lehtësirave për investime, si dhe organizimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin e investitorëve.
albinfo.ch: Në cilët sektorë investohen të hyrat më së shumti? Cilat investime të deritanishme i shihni si të suksesshme? A ka të tilla, sipas jush?
Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja direkte për periudhën janar-mars 2024 arritën në vlerë prej 185.4 milionë euro. Nga ky total, 142.2 milionë euro, ose 76% u investuan në sektorin e pasurive të patundshme, ndërsa pjesa tjetër u shpërndanë në aktivitete të tregtisë me shumicë të automjeteve, sektorin financiar dhe sektorin e sigurimeve. Arsyeja për preferencën ndaj investimeve në pasuri të patundshme lidhet me stabilitetin e tyre. Pasuria e patundshme shihet si një burim i qëndrueshëm dhe i sigurt për shkak të paketës së saj të kufizuar të volatilitetit, veçanërisht për ata që nuk janë të angazhuar në mënyrë aktive në aktivitetet ekonomike.
Në anën tjetër, kemi investime të diasporës edhe në sektorët produktiv, siç janë BPO, ICT dhe Teknologjia Financiare (Fintech) që janë llogaridhënës më mijëra të punësuar në Republikën e Kosovës.
Pavarësisht vlerës së investimeve në pasuri të patundshme, diversifikimi në sektorë të tjerë mund të përshpejtonte rritjen dhe zhvillimin ekonomik të përgjithshëm të vendit. Në mënyrë që të inkurajohet ky diversifikim, është e rëndësishme adresimi i barrierave dhe rritja e ndërgjegjësimit për mundësitë alternative të investimeve. Kjo do të mundësonte që investitorët nga diaspora të shqyrtojnë një gamë më të gjerë aktivitetesh ekonomike që mund të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
albinfo.ch: A ndërmerr OEZK iniciativë për të promovuar investimet e diasporës në Kosovë?
OEZK është aktive në përkrahjen dhe promovimin e investimeve në Kosovë, duke përfshirë edhe iniciativa për tërheqjen e investimeve nga diaspora. Ne organizojmë në baza të rregullta konferenca e punëtori për të rritur ndërgjegjësimin dhe interesin e diasporës për të investuar në Kosovë. Specifikisht në muajin qershor organizuam M&A Forum, apo Mergers & Acquisition Forum, përmes së cilës u promovua diversifikimi në investime dhe mundësia e blerjes së ndërmarrjeve të konsoliduara në Kosovë nga investitorët e huaj dhe diaspora rrjedhimisht. Ndërsa në muajin shtator të këtij viti do të organizojmë për herë të parë në Kosovë Forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, ku do të shfaqen storiet e suksesit nga inestimet e mërgatës zvicerane në Kosovë si dhe korniza makro-ekonomike që favirozon Kosovën ndaj vendeve të rajnonit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte nga Zvicra. Në veçanti, OEZK ka promovuar diversifikimin e investimeve përtej sektorit të patundshmërisë, duke synuar rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit në mënyrë më të gjerë.
albinfo.ch: A ka OEZK ndonjë sistem për të monitoruar dhe raportuar për përdorimin dhe ndikimin e investimeve të diasporës?
Për monitorimin dhe raportimin mbi përdorimin dhe ndikimin e investimeve të diasporës në Kosovë përdorim bazat e të dhënave publike nga Banka Qendrore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, si dhe publikimet kuantitative nga organizatat ndërkombëtare dhe fondet zhvillimore. Periodikisht, (OEZK) publikon raporte kualitative mbi ndikimin e investimeve të diasporës. Këto burime të plota ofrojnë informacione të rëndësishme për peizazhin ekonomik të formuar nga kontributet e diasporës.
albinfo.ch: A mund të ndani ndonjë raport apo studim të fundit që tregon ndikimin e investimeve të diasporës në ekonominë e Kosovës? Çfarë analiza bëni për të matur investimet që ndodhin në Kosovë nga këto të hyra, kur dhe si ndodhin ato?
Për të vlerësuar investimet që ndodhin në Kosovë nga të hyrat e diasporës, kryejmë analizat si në vijim:
- Analiza të hyrjeve të parave: Përfshinë monitorimin e transaksioneve financiare të drejtuara nga diaspora nëpërmjet bankave dhe kanaleve të tjera financiare në Kosovë. Kjo përfshin shumën dhe frekuencën e transaksioneve, si dhe trendet e tyre gjatë kohës.
- Analiza e investimeve të kapitalit: Identifikimi dhe monitorimi i investimeve të mëdha apo të vogla në projekte dhe biznese në Kosovë, të financuara nga individë, kompani ose grupe diasporike. Kjo përfshin identifikimin e sektorëve të preferuar dhe impaktin e tyre në ekonominë vendase.
- Raportimi i investimeve në pronësi dhe pronësi të tjera: Përfshin analizën e blerjeve të pronave, investimeve në ndërtim dhe zhvillime të tjera të pronësisë nga diaspora. Ky aspekt ofron një perceptim mbi sektorët e preferuara për investim nga diaspora dhe ndikimin e tyre në tregun e pronës.
- Studimet e rasteve dhe intervistat: Përfshin analiza mbi raste konkrete të investimeve nga diaspora, duke përfshirë intervista me investitorët, për të kuptuar motivet e tyre, sfidat dhe sukseset në procesin e investimit në Kosovë.
- Analizat kohore dhe tendencat: Përfshin vlerësimin e tendencave afatgjata dhe afatshkurtra të investimeve nga diaspora në Kosovë, duke analizuar ndryshimet në politikat e investimeve, kushtet e tregut dhe zhvillimet ekonomike në përgjithësi.
albinfo.ch: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen investimet nga diaspora në Kosovë?
Si OEZK i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e kornizës ligjore dhe administrative si dhe rritjen e transparencës nga institucionet publike vendore. Në anën tjetër, duhet ditur se stabiliteti politik ndikon në rritjen e sigurisë për investime në projekte afatgjata. Si pikë e rëndësishme të ceket është fakti se investitorët nga diaspora mund të hasin sfida në lidhje me mungesën e informacionit për të kuptuar potencialet e tregut dhe mundësitë e investimeve në Kosovë.
Intervistën e realizoi: Rozafë Rexhepaj
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve