Zhvillim
Ku ka ngecur çështja me pensionet zvicerane të personave që jetojnë në Kosovë?
Pa një angazhim më serioz dhe më intensiv të institucioneve të Kosovës, ekzistojnë gjasa që lidhja e marrëveshjes të zvarritet edhe më tutje dhe të shkaktojë kështu disa pasoja negative të pamerituara për njerëzit tanë që dhanë një kontribut të padiskutueshëm në ekonominë zvicerane
Përkujtojmë së pari një vendim të rëndësishëm të Gjykatës Federale Zvicerane të 19 qershorit 2013, sipas të cilit iu dha edhe një «grusht i ri» çështjes së sigurimeve shoqërore për shtetasit kosovarë që kanë lëshuar Zvicrën dhe presin që pensionimet e tyre t’i marrin në vendin ku jetojnë (ku përfshihen posaçërisht sigurimi i pleqërisë dhe ai invalidor). Definitivisht, kjo gjykatë vlerësoi se marrëveshja e mëparshme mbi sigurimet shoqërore e lidhur në mes të Zvicrës dhe Ish-Jugosllavisë nuk ka më peshë juridike për shtetin e Kosovës (marrëveshje e cila nuk vlen më që prej 1 prillit 2010).
Sipas vlerësimit të Gjykatës Federale, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në planin juridik, nuk mund të konsiderohet se marrëveshja e sipërpërmendur mund të bartet automatikisht dhe në mënyrë të pakushtëzuar në shtetin e Kosovës. Madje thuhet edhe ajo se zgjatja e vlefshmërisë së marrëveshjes deri në vitin 2010 është bërë më tepër për arsye praktike se sa juridike.
Kjo gjykatë vlerësoi, në mes tjerash, edhe atë se veprimi i tillë i shtetit zviceran mbështetet në rregullat e brendshme juridike dhe se nuk bie aspak ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe me ato që aplikohen në rastet e trashëgimisë së shteteve. Marrë parasysh superioritetin në hierarkinë e drejtësisë zvicerane, padyshim se është vendimi i Gjykatës Federale ai i cili mban peshë më tepër, edhe pse para një vendimi të tillë disa instanca të nivelit më të ulët të juridiksionit zviceran dhanë disa vlerësime të tjera që u shkonin përshtati interesave të pensionistëve kosovarë.
Edhe pse marrëveshja nuk ekziston, a mund të shpresohet në nxjerrjen e ndonjë lloji pagese ?
Përgjigja është, natyrisht se po. Pasi që një marrëveshje ndërshtetërore nuk ekziston, sipas informatave që i jep Zyra Federale për Sigurime Shoqërore, por edhe në përputhje me ligjin, shtetasit kosovarë që janë të ballafaquar me këtë problematikë, kanë të drejtë që së paku të kërkojnë t’iu kthehen kuotizimet e tyre (pra kuotizimet që i kanë paguar ata dhe punëdhënësit e tyre gjatë gjithë kohës së ushtrimit të ndonjë aktiviteti, që sot paraqesin diku 8,4 % të rrogës mujore).
E në realitet, cili është interesi ynë për të kërkuar kthimin e kuotizimeve?
Nuk na duket aspak e këshillueshme që, pa asnjë analizë paraprake, të kërkohet kthimi i kuotizimeve të paguara. Çdo rast duhet analizuar me kujdesin dhe përpikërinë e duhur. Kjo sqarohet sidomos me faktin se, sipas të gjitha gjasave, Zvicra dhe Kosova prapëseprapë do t’ia arrijnë në një të ardhme (shpresohet të afërme) që të lidhin një marrëveshje në lëmin e sigurimeve shoqërore. Kjo do të nënkuptonte se sipas kushteve të ofruara nga marrëveshjet e tilla, personat që kanë kuotizuar në Zvicër mbrohen më mirë, duke përfituar kushte dukshëm më të favorshme.
Në situatën aktuale, vetëm dy raste mbështesin argumentet e padiskutueshme për kërkimin e kthimit sa më të shpejtë të kuotizimeve, dhe atë:
- Nëse personi tashmë gjendet në moshë pensionimi (mbi 64 apo 65 vite). E theksojmë edhe atë se e drejta për kthimin e kuotizimeve humbet pesë vite pas fillimit të pensionimit, nëse pala e interesuar nuk e ka kërkuar atë;
- Në rast vdekjeje të personit të siguruar, trashëgimtarët legjitime kanë të drejtë që brenda afatit pesë vjeçar të kërkojnë realizimin e të drejtave të paslënësit.
Për dy rastet e përmendura, nuk dyshohet se nuk do të jetë e këshillueshme të pritet së pari apo të shpresohet ndonjë lidhje e marrëveshjes mbi sigurimet në mes të Zvicrës dhe Kosovës.
Po cekim një shembull përmes të cilit do të mundohemi të sqarojmë se, në disa raste, nuk ekziston me të vërtetë ndonjë interes i madh për t`u kënaqur me kërkimin e kthimit të kuotizimeve.
Shembulli ilustrohet kështu si vijon : shtetasi kosovar, i lindur në janar 1955, ka punuar në Zvicër prej marsit të viti 1986 deri në mars 1997. Rroga e tij mujore ka qenë përafërsisht 3700 franga bruto. Pasi që ka punuar me ndërprerje, rroga e tij mesatare vjetore ishte afër 30’000 franga. Për një periudhë njëmbëdhjetë vjeçare, të ardhurat e tija bruto arrijnë diku 330’000 franga.
Nëse marrëveshja e sigurimeve shoqërore do të aplikohej, madje edhe sipas kushteve të tashme të disa marrëveshjeve ekzistuese (dhe sipas modeleve me disa shtete tjera), nëse bazohemi në kuotizimet e paguara sipas përqindjeve të tashme (8,4%, edhe pse kjo përqindje para do vitesh ka qenë më e ulët), atëherë sipas llogarive del se pagesat që janë bërë për sigurimin pensional arrijnë diku shumën maksimale prej 27’720 franga. Kjo d.m.th se sipas mundësive që ofrohen për kthimin e kuotizimeve të paguara, personi në fjalë ka të drejtë të kërkoj kthimin e kësaj shume.
Mirëpo, një llogari tjetër na tregon se, për një shembull të tillë, nëse nuk e prekim shumën e cekur të gatshme, dhe nëse e presim moshën normale të pensionimit, atëherë mund të vijmë në përfundim se nuk ekziston me të vërtetë interesi për me kërkuar tash kthimin e kuotizimeve. Pse? Po ky i njëjti person i cili, sipas ligjit, fillon të drejtën e pensionimit që nga 1 shkurti 2020, renta e tij mujore e pensionimit që duhet t’i takojë është diku 517 franga në muaj. Atëherë, parashtrohet pyetja, vallë kush janë më të vlefshme, shuma prej 27720 franga që merret menjëherë (dhe asgjë tjetër pastaj) apo renta mujore prej 517 franga e cila do të vlejë gjatë gjithë kohës së pensionimit ? Lidhur me këtë, cekim faktin se shembulli i tillë është indikativ dhe synon që të na japë vetëm një ide të përafërt, por nuk garanton assesi një përgjigje të sigurt dhe të plotë, pasi që para marrjes së vendimit mbi rentën e pensionimit analizohen një sërë elementesh.
Pse gjithë kjo zvarritje për lidhjen e një marrëveshje në mes të Zvicrës dhe Kosovës ?
Komentimet e shumta që dëgjohen në qarqet e ndryshme, qoftë në ato të sigurimeve shoqërore në Zvicër qoftë në ato institucionale, shpesh flasin për mospërmbushjen e disa kushteve paraprake nga ana kosovare. Edhe atë potencohet sidomos çështja e mos ekzistimit të një dispozite ligjore në Kosovë që do të lejonte gjithashtu bartjen e pensioneve, sipas rregullave ndërkombëtare të reciprocitetit (p.s. do të ishte interesant të dihet në aspektin statistikor se sa shembuj i gjejmë në Kosovë që mund të kërkojnë potencialisht që rentat e pensionimit t’iu paguhen jashtë Kosovës !).
Flitet disa herë edhe për problemin e besueshmërisë ndaj regjistrave publik të gjendjes civile në Kosovë. Disa analistë zviceranë konsiderojnë se ato nuk janë plotësisht të besueshme dhe komplete. Ndër tjerat, edhe luftimi ndaj rasteve të keqpërdorimeve ndaj sigurimeve zvicerane zë një vend të rëndësishëm në reflektimet e ndryshme. Kritikohet gjithashtu edhe funksionimi i institucioneve kosovare, në përgjithësi, duke u theksuar se për një aplikim efikas të një marrëveshje ndërshtetërore kërkohet edhe një funksionalitet më efikas posaçërisht tek institucionet e ngarkuara për mbikëqyrjen dhe aplikimin e marrëveshjes.
Me fjalë të tjera, Zvicra bazohet sidomos në parimin e reciprocitetit, sipas së cilit, që të dy shtetet bashkëkontraktuese të kenë disa instrumente të mjaftueshme qoftë në aspektin e ligjit qoftë në aspektin e efikasitetit institucional në fushën e përmbushjes së obligimeve që dalin nga dispozitat e marrëveshjeve të tilla.
Fundja, fajësia ndonjëherë bartet «herë këtu e herë atje», por ajo çka duket më e rëndësishme është fakti se pa një angazhim më serioz dhe më intensiv të institucioneve të Kosovës, ekzistojnë gjasa që lidhja e marrëveshjes të zvarritet edhe më tutje dhe të shkaktojë kështu disa pasoja negative të pamerituara për njerëzit tanë që dhanë një kontribut të padiskutueshëm në ekonominë zvicerane. Jemi gjithashtu të mendimit se edhe një «formalizëm i tepruar » i kërkuar nga pala zvicerane nuk i shkon aspak përshtati ofrimit të një zgjidhje optimale dhe pragmatike. Nuk besojmë gjithashtu se disa shtete të rajonit, të cilat tashmë e kanë marrëveshjen, i plotësojnë me përsosmëri, disa nga kushtet që sot Zvicra ia kërkon Kosovës.
(Lirim Begzati, jurist i specializuar në të drejtën zvicerane dhe udhëheqës i një zyre juridike në Neuchâtel (Zvicër)
- Ky është opinion i autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës Më 4 janar prej orës 19:00 është ndeshja Zvicër – Kosovë...
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
-
FC Kosova Zürich: Stabiliteti, sukseset dhe ambiciet për të ardhmen
-
Rita Ora në New York për ndërrimin e moteve
-
Bekim Zogaj, kur “pensionimi” vjen në kulmin e karrierës
Jeta në Zvicër
-
Siguruesi zviceran Helvetia thotë se 500 vende pune janë prekur nga ulja e kostove Rreth 500 vende pune, duke përfshirë 200 deri në 250 në Zvicër, janë prekur nga masat...
-
Zvicër: 5% më pak shitje të veturave të reja
-
Ka gjithnjë e më pak vende parkimi publike në qytetet zvicerane
-
Fermerët zviceranë të shqetësuar për të ardhurat dhe barrën administrative
-
Subvencionet publike për transportin publik po rriten në të gjithë Zvicrën