Integrimi

Ku do ta kalojnë personazhet publike Vitin e Ri?

albinfo.ch ka marrë prononcimet e disa personazheve nga estrada e sporti, të cilët jetojnë në diasporë. Ata janë pyetur rreth asaj se ku do ta presin natën e Vitit të Ri dhe cilat janë planet e tyre për vitin 2019

Edhe pak orë na ndajnë nga nata më e gjatë e vitit, nga ndërrimi i motmoteve. Nata e Vitit të Ri na kujton të gjitha momentet më të mira dhe më të trishta të vitit që po e lëm pas. Gjatë 2018-ës kanë ndodhur ngjarje nga më të ndryshmet në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kemi përjetuar emocione të forta, gëzime, sfida, trishtime, momente suksesesh, në punë dhe familje. Me shpresën se viti 2019 do të jetë edhe më i suksesshëm dhe me gëzime në familjet tona, albinfo.ch ka marrë prononcime nga disa personazhe të njohura publike të cilët jetojnë në diasporë. Me ta biseduam rreth asaj se ku do ta presin natën e Vitit të Ri dhe cilat janë planet e tyre për vitin 2019, shkruan albinfo.ch.

 

Nora Muja, modele: Vitin e ri, me familje

Bukuroshja Nora Muja është ndër ato imazhe që ke dëshirë t`i shohësh. Edhe ky vit në ikje ishte i suksesshëm për të. “2018 ishte një vit i mirë. Do e mbaj në mend për eventin e “Top Model of the World” në shtetet arabe. Gjithashtu isha pjesë e jurisë së “Miss Globe”. Ish missi tregon se vitin e ri 2019 do ta festojë në Gjermani, në shtëpi me familjen. “Do të dal edhe me shoqërinë në ndonjë organizim spontan”, thotë Nora, duke shtuar se në vitin 2019 pritet të jetë edhe më e angazhuar dhe gjithashtu t’i përkushtohet fakultetit. “Kam edhe disa oferta në Gjermani që mendoj t’i realizoj. Gjithsesi, kam edhe plane tjera, që do t`i zbulojë koha”.

Florian Marku

Florian Marku, boksier, njeriu i triumfeve

Florian Marku është njeriu i triumfeve, boksieri që na bëri krenarë gjatë këtij viti. 2018-shi ka qenë i shkëlqyer për të. “Në vitin 2018 kam pasur vetëm fitore, katër fitore në MMA dhe kjo më ka bërë të lumtur”, thotë Marku. AI ka dalë katër herë kampion bote ne kick box. Marku shprehet për suksesin e tij më të madh: “Suksesi më i madh ka qenë kur kam fituar kundër grekut Bitakos në ndeshjen e mbajtur në Athinë e ku ishin të pranishëm tetë mijë vetë”. Florian Marku tregon se vitin e ri do ta kalojë në Londër, ku edhe po zhvillon përgatitjet për ndeshjen e radhës në boksin profesionist.

Sony T

Sony T”, reper: Për Vit të Ri do të jem në Tetovë

Reperi “Soni T” numëron disa këngë të tij, të cilat kanë ngjallur edhe shumë diskutime. Ai, zakonisht u këndon shqiptarëve të Maqedonisë, prej nga edhe vjen. Sony, jeton në Zvicër, por tregon se është shumë i lidhur me vendin e origjinës. “Unë e dua shumë vendlindjen time dhe sa herë që gjej pak kohë të lirë, menjëherë kthehem në Tetovë, atje ku më pushon zemra”, thotë reperi. Sony, tregon se këtë vit do ta mbajë mend për zhvillimet në jetën private. “Këtë vit do ta mbaj në mend për fejesën. Jam shumë i lumtur në krah të njeriut të zemrës”. Reperi sapo ka lansuar edhe projektin me titull “Shqiptar Maqedonie”. Thotë se për vit të ri do të jetë pranë personave më të dashur në Tetovë.

Berat Haskaj

Berat Haskaj, valltar: 2018-a ishte një vit i suksesshëm

Berat Haskaj është bërë shumë i njohur si valltar, madje nuk ka vetëm famë lokale. Jeton në Zvicër, ku edhe numëron me dhjetëra suksese. Valltari tregon se këtë vit ka qenë pjesëmarrës në shumë festivale. “Po, këtë vit kam qenë në shumë festivale në Evropë, festivale me karakter garues, por edhe në shumë evente në Zvicër, andaj e konsideroj vit të suksesshëm. Kemi qenë prezent edhe në klipet e këngëtarëve bashkë me grupin “Future Steps”, thotë valltari profesionist, i cili vitin e ri do ta kalojë në gjirin familjar.

Elsa Fazlija

Elsa Fazlija: Vitin e Ri, me familje, në Zvicër

Elsa Fazlija është emër i njohur, ndër ato këngëtare që kanë bërë emër vetëm falë talentit dhe cilësive të mira në muzikë. Ka një listë këngësh të bukura, të punuara me shumë dashuri. Është identifikuar si këngëtare serioze, por njëkohësisht moderne, që ecën me hapin e kohës. Elsa gjatë vitit 2018 ka prezantuar këngë të bukura, e ndërkohë po e synon edhe tregun ndërkombëtar. Shumë shpejt ajo dp të lansojë një projekt në gjuhën angleze. Këngëtarja së fundi solli edhe një bashkëpunim me Matt Houston, këngën me titull “Dis moi mi amor”. “Kjo këngë u pëlqye mjaft dhe mua më prezantoi ndryshe. Edhe më tutje do të vijoj me këtë ritëm, e së shpejti do ta sjell një këngë në gjuhën angleze”. Elsa, tregon se ku do të jetë për vit të ri. “Për festën e vitit të ri do të jem në Zvicër me familjen. Shfrytëzoj rastin t’u uroj të gjithë shqiptarëve kudo në botë festat e fundvitit”, thotë këngëtarja.