Tematike

KSHZ bën thirrje që të respektohen masat e marra nga Qeveria e Zvicrës

Akti nënligjor për masat e luftimit të virusit korona (Covid-19) në fushën e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve i datës 2 korrik 2020 rregullon masat në fushën e trafikut ndërkombëtar të pasagjerëve, me të cilat parandalohet përhapja e virusit korona Sars-CoV-2 përtej kufijve.

Ditë më parë, Qeveria e Zvicrës ka vendosur masa plotësuese përf luftimin e koronavirusit. Masa që ka tërhequr më së shumti vëmendjen, ka qenë krijimi i një liste “të rrezikut”, që përbëhet nga 29 vendeve, ku hyjnë edhe Kosova, Maqedonia dhe Serbia, shtete nga të cilat vijnë shumica dërmuese e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Siç ka shkruar tashmë gjerësisht edhe albinfo.ch, personat që kthehen në Zvicër nga këto vende, nga 6 korriku e tutje, duhet t`i nënshtrohen karantinës.

Lidhur me këtë masë, albinfo.ch ka kërkuar qëndrimin e subjekteve të ndryshme shqiptare në Zvicër. Në vazhdim, është teksti që përmban qëndrimin dhe apelin e Kuvendit të SHqiptarëve të Zvicrës.

Nga data 6 korrik 2020 banorët e Zvicrës, të cilët i kalojnë pushimet e tyre në vende të deklaruara nga Qeveria e Zvicrës si vende me rrezik të rritur, pasi të kthehen në Zvicër duhet të shkojnë drejt në shtëpi apo banesë dhe të karantinohen për dhjetë ditë. Kjo vlenë nëse keni qenë në atë vend brenda 14 ditëve të fundit para se të ktheheni në Zvicër. Në këtë listë bënë pjesë edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës apelon që të respektohen vendimet e Qeverisë Zvicerane.

Disa nga rreziqet nga kalimi i pushimeve jashtë Zvicrës dhe mosrespektimi i masave

Nëse udhëtoni në shtetet e futura në listën e lartpërmendur, duhet të karantoheni për 10 ditë pasi të ktheheni në Zvicër. Ju nuk do të mund të shkoni në vendin tuaj të punës dhe në këtë rast keni problem me pagën tuaj, sepse punëdhënësi juaj mund të refuzojë t’ua paguajë pagën për atë kohë sa jeni në karantinë. Në rast se punëdhënësi ju ka dërguar për punë në një vend të rrezikuar, atëherë ai nuk ka të drejtë t’ua ndalojë pagën edhe nëse duhet të futeni në karantinë. Nëse është e mundur të punohet nga shtëpia (Home-Office) dhe punëdhënësi iu ofron të gjithë infrastrukturën për të punuar nga shtëpia, atëherë ekziston mundësia për të punuar dhe ju duhet të paguheni.
Rreziku tjetër mund të jetë edhe mbyllja eventuale e kufijve dhe organizimi i kthimit në Zvicër.
Nëse ktheheni në Zvicër dhe nuk i përmbaheni karantinimit, mund të dënoheni me gjobë deri në CHF 10’000.-.

Në rast se vendi që keni vizituar nuk është në listë ose klasifikohet si vend me rrezik të rritur dhe futet në listë dhe ju në atë kohë qëndroni atje  

Në rast se pas datës 6 korrik 2020 vizitoni një shtet që nuk është klasifikuar si vend me rrezikshmëri të rritur dhe nuk është në listën e lartpërmendur (p.sh. Shqipëria) ose nëse ky vend futet në listë në kohën kur ndodheni ju në atë vend, atëherë punëdhënësi ndoshta duhet t’ua paguaj pagën e plotë edhe nëse pas kthimit në Zvicër duhet të futeni për 10 ditë në karantinë, pasi që a priori nuk mund të konsideroheni fajtorë. Por pasi që kemi të bëjmë me një pandemi e cila përfshinë të gjithë globin (edhe Zvicrën), vendet e tjera nuk mund të konsiderohen që nga fillimi si më të pasigurta se Zvicra. Në raste të tilla ka mendime të ndryshme dhe ndoshta duhet të vendosin gjykatat. Punëmarrësit të cilët me vetëdije shkojnë në një vend që njihet që është i rrezikuar, mund të fajësohen për shkaktimin e pamundësisë për të punuar. Vetëm nëse faji i shkaktimit të pamundësisë për të punuar nuk mund t’iu ngarkohet juve (pra nëse nuk jeni fajtorë), atëherë punëdhënësi duhet t’iu paguajë. Gjithashtu edhe nëse keni mundësi të punoni nga shtëpia (Home-Office), atëherë normalisht duhet t’iu paguajë punëdhënësi edhe gjatë karantinës, pasi që nuk ekziston pamundësia për të punuar.
Sipas nenit 3 të Aktit Nënligjor për masat e luftimit të koronavirusit (Covid-19), njëri nga kriteret për futjen në listë të vendeve është numri i të infektuarve për një kohë te caktuar; nëse për 100’000 banorë në një shtet apo zonë në 14 ditë e fundit kalon mbi 60 të infektuar të ri, caktohet si vend me rrezik të rritur dhe futet në listë.
Për të mirën e secilit, pra edhe për të mirën tuaj personale, ju ftojmë t’i respektoni masat. Një alternativë shumë e mirë dhe më e sigurtë është t’i kaloni pushimet kësaj radhe në Zvicër.
Për informata më të hollësishme ju lutemi vizitoni faqen e internetit të Zyrës Federale të Shëndetit Publik BAG (www.bag.admin.ch) ose kontaktoni Lurata Reçi (E-Mail: [email protected]), thuhet në fund të qëndrimit të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.