Lajme

Kryetari i ri i Prishtinës shkon me autobus në punë

Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti duket se e ka mbajtur premtimin që kishte dhënë në fushatë, se “nuk i duhet veturë zyrtare”. Ai sot me autobus shkoi në punë

Në ditën e parë të punës, Shpend Ahmeti, kryetari i ri i Prishtinës, nga shtëpia deri në komunë, ka udhëtuar me autobus urban. Me këtë veprim, kryetari i ri duket se e ka mbajtur premtimin që kishte dhënë në fushatë, se “nuk i duhet veturë zyrtare”.

Gjatë fushatë, Ahmeti ka akuzuar kryetarin në ikje, Isa Mustafa se ka shpenzuar para kot për blerjen e një veture luksoze “Audi Q7” për nevojat e kryetarit. Ahmeti ka thënë se kryetarit të ri nuk i duhet veturë e shtrenjtë, ndërsa ka paralajmëruar shitjen e veturës.  

Madje nëpër rrjetet sociale është ironizuar shitja e kësaj veture: “shitet enje veturë e re, të cilën e ka vozitur vetëm një plak”.

Shpend Ahmeti një ditë më parë e dha betimin para Asamblesë Komunale dhe u inaugurua si kryetrari i ri i Prishtinës. Ndërsa sot pritet ta zyrtarizojë qeverisjen e re komunale.

Një ditë në media u publikuan emrat e disa ekspertëve që do t’i drejtojnë dikasteret kyçe në qeverisjen e Shpendit.

Dardan Sejdiu do të prezantohet si nënkryetar i Komunës së Prishtinës; Ylli Hoxha si kryesuesi i Asamblesë; Xhelal Sveçla do të emërohet udhëheqës i Drejtorisë së Inspektoratit; Liburn Aliu drejtor i Urbanizëm dhe Nora Kelmendi në Kadastër.